Napoli pret t’i vijnë oferta për Rrahmanin

  • A.P /
  • 21 April 2022 - 15:24
Napoli pret t’i vijnë oferta për Rrahmanin

Amir Rrahmani e ka arritur kulmin e karrierës deri tash sa i përket formës së tij.

Futbollisti kosovar është bërë lojtar mjaft i rëndësishëm i Napolit, i cili udhëhiqet nga trajneri Luciano Spalletti.

Së bashku me Kalidou Koulibalyn, ai po e përbën një dyshe të pakalueshme në zemër të mbrojtjes.

Dhe, forma optimale e përfaqësuesit kosovar nuk ka mbetur pa u vërejtur nga klubet e mëdha.

Javë më parë u spekulua se interesim për ish-futbollistin e Dinamo Zagrebit dhe Veronës ka shfaqur gjiganti britanik, Manchester United.

Por, mediat italiane shkruajnë se Napoli po pret edhe oferta të tjera ndërkohë për qendërmbrojtësin.

Sipas portalit “tuttomercatoweb”, Rrahmani është njëri nga lojtarët napolitanë që do të kërkohen më së shumti në afatin kalimtar të janarit, së bashku me Koulibalyn, Victor Osimhen, Giovanni Di Lorenzo, Stanislav Lobotkan, Hirving Lozanon dhe Fabian Ruizin

Mbetet të shihet nëse do të arrijë ndonjë ofertë e parezistueshme për qendërmbrojtësin kosovar.

Vetë Rrahmani ka thënë se ndihet i lumtur në Napoli dhe se nuk po mendon, për momentin, të largohet nga ky klub.


(Kosova Sot Online)