Ramiz Sadiku triumfon në finalen e U15

  • S.A /
  • 21 June 2022 - 16:49
Ramiz Sadiku triumfon në finalen e U15

Skuadra e Ramiz Sadikut ka triumfuar në finalen e “Play-Off”-it Nacional në Hajvali për grupmoshën deri 15-vjeç. Prishtinasit fituan në duel me skuadrën e Ballkanit të Suharekës, me rezultat 3:1, duke e fituar me meritë epitetin e kampionit në këtë grupmoshë. Përkundër temperaturave të larta, futbollistët e të dyja ekipeve shfaqën lojë shumë interesante dhe me rivalitet të madh. Të parët në epërsi kaluan futbollistët e Ramiz Sadikut, me golin e Fidan Shkretës, në minutën e 39-të. Por, gëzimi i kryeqytetasve zgjati më pak se një minutë, pasi Albion Kotorri realizoi për t’i barazuar shifrat në 1:1.

Megjithatë, në pjesën e dytë lojë më të mirë dhe dëshirë më të madhe për fitore shfaqi skuadra e Ramiz Sadikut, teksa shënoi edhe dy gola. Realizator i dyfishtë ishte Gent Prebreza, në minutat 47-të dhe 60-të.

Nga afër edhe këtë ndeshje e ndoqi presidenti Agim Ademi, i cili në fund e ndau trofeun e kampionit për skuadrën e Ramiz Sadikut, teksa medaljet për ekipet finaliste i ndanë anëtarët e KE të FFK-së, Xhelal Broja dhe Ismajl Ajeti.

(Kosova Sot Online )