Ronaldo nuk do t’i bashkohet Manchesterit as në turneun para-sezonal

  • E.K /
  • 08 July 2022 - 12:18
Ronaldo nuk do t’i bashkohet Manchesterit as në turneun para-sezonal

Cristiano Ronaldo nuk do t’i bashkohet Manchester Unitedit as në ndeshjet para-sezonale.

“BBC” ka raportuar këtë të premte se portugezi do të humbasë pjesën e parë të turneut para-sezonal në Tajlandë.

Ronaldos i është dhënë pushim shtesë për arsye familjare dhe nuk do të jetë me shokët e skuadrës në fluturimin e së premtes për në Bangkok.

“Djajtë e Kuq” e shohin 37-vjeçarin si pjesë të skuadrës së tyre dhe nuk kanë interes ta shesin atë.

Megjithatë, ata nuk po japin asnjë garanci për këtë, derisa mungesa e tij vetëm po nxitë spekulime për të ardhmen.

Ronaldo nuk dihet as nëse do të udhëtojë me skuadrën drejt Australisë, për pjesën tjetër të turneut para-sezonal.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ditëve të fundit është lidhur me një largim nga “Old Trafford”. Ai thuhet se e dëshiron largimin këtë verë, nëse klubi e merr një ofertë të kënaqshme.

Ish-sulmuesi i Real Madridit nuk iu bashkua Manchester Unitedit as në stërvitjet para-sezonale në Carrington këtë javë, teksa ai stërviti individualisht në terrenin e ekipit kombëtar të Portugalisë.

Ndryshe, Manchester United do të luajë me Liverpoolin në Tajlandë të martën, para se të udhëtojë pastaj për në Australi.

(Kosova Sot Online)