Fundjava sjell fazën e dytë të Superligës në futboll

  • E.K /
  • 07 October 2022 - 14:16
Fundjava sjell fazën e dytë të Superligës në futboll

Këtë fundjavë, nis faza e dytë, njëkohësisht xhiroja e 10-të e Superligës në futboll.

Të shtunën në program janë dy takime, kurse të dielën tri sosh.

Liderja e Superligës, Drita e pret në shtëpi Trepçën’89. Takimi i parë mes tyre kishte përfunduar në barazim. Dallimi mes tyre në tabelë është 12 pikë.

Po të shtunën, Prishtina në “Fadil Vokrri” e pret Dukagjinin. Kryeqytetasit kishin fituar përballjen e parë mes tyre. Prishtina gjendet në vendin e katërt, kurse Dukagjini vazhdon të jetë i fundit.

Të dielën luan kampioni në fuqi, Ballkani që në shtëpi takohet me Malishevën. Suharekasit i kishin mposhtur malishevasit në takimin e parë. Ekipi nga Suhareka gjendet në pozitën e dytë, me tre pikë më pak se lideri, por me dy ndeshje më pak. Në anën tjetër, Malisheva e gjen veten në pozitën e tetë.  

Në stadiumin “Zahir Pajaziti”, Llapi do të jetë nikoqir i Drenicës. Dallimi mes tyre është dy pikë, më mirë qëndrojnë drenicasit. Në xhiron e parë, llapjanët kishin triumfuar minimalisht.  

Përballja e fundit është ajo mes Ferizajt e Gjilanit. Gjilanasit nuk dinë për fitore tash e katër xhiro. Skuadra e Zekirija Ramadanit është në pozitën e tretë, kurse Ferizaj të parafundit. Përpos ndeshjes Prishtina – Dukagjini që nis nga ora 20:00, duelet e tjera luhen nga ora 13:00.

(Kosova Sot Online)