Mërgim Cernaverni, “Lewandowski i ri” i Llapit

  • S.A /
  • 11 October 2022 - 14:20
Mërgim Cernaverni, “Lewandowski i ri” i Llapit

Pas shkëlqimit me ekipin U-17 të Llapit, ku kishte bërë “kërdi”, Mërgim Cernaverni ka shpërthyer edhe me skuadrën U-19. Sulmuesi i ri kosovar ka qenë protagonist në këtë fillim-sezoni të kësaj grupmoshe.

Edhe pse është veç 16 vjeç, Mërgimi po përballet me sukses me lojtarët që mund të jenë më të mëdhenj në moshë.

Ai i ka realizuar 7 gola në 8 ndeshje dhe për momentin është golashënuesi më i mirë i llapjanëve.

Cernaverni po kalon nëpër forme jetësore duke e udhëhequr Llapin drejt sukseseve të reja.

Kjo ka bërë që ai t’i bie në sy edhe trajnerit të ekipit të parë, Tahir Batatina.

Ky i fundit ka vendosur ta grumbullojë Mërgimin në stërvitje me ekipin senior.

Por, për shkak të obligimeve shkollore, ai s’po mund të jetë aktiv krejt kohën me ekipin e parë.

Sidoqoftë, futbollisti shtatlartë (185cm) është në sy të trajnerit Batatina, i cili mund t’ia japë rastin për të debutuar në Albi Mall Superligë këtë sezon, me gjasë ende pa i mbushur mirë 17 vjet.

Cernaverni e ka ditëlindjen më 20 nëntor dhe në çdo moment mund të vijë edhe rasti i tij.

Ai është shprehur i gatshëm për çdo rast dhe e pranon se për të do të ishte një ndjenjë fantastike nëse e shijon ligën elitare të futbollit kosovar.

Mërgimi, por edhe babai i tij Shaipi, presin që kjo formë lojtarit të ri t’i shpërblehet edhe më gjerë, respektivisht me një ftesë në Kombëtaren U-19 të Kosovës, ndërsa Cernaverni nuk e ka fshehur dëshirën dhe ëndrrën e tij që në të ardhmen të luajë për Kombëtaren A të Kosovës, por edhe në një klub të njohur evropian.

Përpos në Kosovë, 16 vjeçarit iu ka ra në sy edhe klubeve evropiane, më saktësisht atyre kroate.

Siç tregon babai i futbollistit, Shaip Cernaverni, janë dy klube kroate që e kërkojnë lojtarin në prova disa ditë, por që emrat e tyre nuk deshi t’i zbulonte.

Futbollisti i lindur më 20.11.2005 po krahasohet me Robert Lewandowskin e Barcelonës, shkruan “Gazeta Express”.

Për këtë, atë kanë nisur ta thërrasin “Lewandowski i Llapit”, për saktësinë e tij me këmbë, por edhe për lojën në ajër, e cila është një armë e fortë e tij.

Mërgim Cernaverni zotohet se do të mundohet të punojë sa më shumë për t’u përmirësuar dhe për t’u zhvilluar, ndërsa beson se më pas mundi, djersa dhe sakrifica do t’i shpërblehen, për ta bërë një karrierë të suksesshme. 

(Kosova Sot Online )