Granit Xhaka: Tash jam lider dhe në majë

  • S.A /
  • 24 January 2023 - 09:55
Granit Xhaka: Tash jam lider dhe në majë

Granit Xhaka është zgjedhur mbrëmë futbollisti i vitit në Zvicër. Mesfushori kosovar e kurorëzoi kështu një vit fantastik, të cilin e kaloi. Ai ndihet i lumtur për këtë vlerësim, ndërsa i falënderoi të gjithë atë që e ndihmuan të arrinte deri këtu, transmeton "Kosova Sot Online".

Mesfushori kosovar u nderua në “Natën e Futbollit të Zvicër”, që u mbajt mbrëmë në Casino Bern.

30 vjeçari u shpërblye kështu nga Federata Zvicerane e Futbollit dhe nga Liga Zvicerane e futbollit për vitin fantastik që e kaloi.

Përfaqësuesi zviceran në këtë garë i mposhti shokët e skuadrës, Yann Sommer dhe Manuel Akanji.

Futbollisti i Arsenalit u shpreh i lumtur që u zgjodh më i miri i vitit.

Në vitin që shkoi, ai shkëlqeu me Arsenalin dhe me Kombëtaren e Zvicrës në Botërorin e Katarit.

“Jam mjaft krenar për këtë çmim. Ju falënderoj të gjithëve. E falënderoj trajnerin, familjen dhe të gjithë ata që besuan tek unë. Tri vjet me parë e preka fundin në Arsenal dhe tash jam atje si lider dhe në majë të tabelës. Çmimi do të thotë shumë për mua”, ka thënë kapiteni i “Helvetikëve”.

Ai synon ta fitojë titullin e kampionit me Arsenalin dhe ta kurorëzojë kështu një sezon fantastik që po e kalon me “Topçinjtë”. Xhaka u shpall futbollisti i vitit në Zvicër për herë të dytë. Herën e parë këtë ndjenjë e kishte përjetuar në vitin 2017. Xhaka ka marrë urime të shumta nga personalitete të ndryshme.

(Kosova Sot Online )