Ndeshjet e vlefshme për xhiron e 29-të të Superligës

  • A.P /
  • 14 April 2023 - 17:00
Ndeshjet e vlefshme për xhiron e 29-të të Superligës

Të shtunën dhe të dielën do të zhvillohen ndeshjet e vlefshme për xhiron e 29-të të Superligës në futboll.

Të shtunën na presin tri sfida e të dielën dy.

Pas humbjes xhiron e kaluar, Prishtina do kërkojë këtë javë në shtëpi të marr pikët e plota ndaj Ferizajt, që ka tri fitore në pesë sfidat e fundit.

Si pasojë e humbjes nga Dukagjini, bardh e kaltrit kanë humbur pozitën e katërt, derisa ferizajasit janë ngjitur në atë të shtatën.

Një nga ekipet më të dobëta në pesë sfidat e fundit është Gjilani, që i shkon Malisheves.

Të kuqtë nga Gjilani kanë dy humbje rresht dhe është në rrezik që pas një kohe të gjatë ta humbin vendin e tretë në tabelë.

Në krahun tjetër, malishevasit janë të tetit dhe në rrezik për rënie nga elita.

Ndeshja e fundit e së shtunës është mes Trepçës’89 e Llapit.

Mitrovicasit morën një pikë të madhe në udhëtim te Drita, por janë në pozitë tejet të keqe dhe një humbje eventuale do ia rrezikonte seriozisht qëndrimin në Superligë.

Me një fitore eventuale të llapjanëve dhe një dështim i Gjilanit për pikët e plota, do i vendosin ata në vendin e tretë, që iu siguron garat evropiane.

Të dielën luajnë dy ekipet e para të tabelës.

Liderja e Superligës, Drita kërkon të kthehet tek fitorja, i shkon Dukagjinit në një duel tejet të vështirë.

Klinasit janë ekipi më në fortë pesë sfidat e fundit, kanë katër fitore e një humbje.

Forma e mirë e tyre, ka bërë që ta blindojnë pozitën e gjashtë në tabelë dhe janë dy pikë larg vendit të tretë.

Kampioni në fuqi, Ballkani i shkon ekipit më të dobët të Superligës, Drenicës që nuk di çfarë është fitorja tash e pesë javë dhe do ta kenë tejet vështirë rikthimin tek tre pikët, ndonëse suharekasit janë jashtë formës.

Suharekasit kanë vetëm një fitore në pesë sfidat e fundit, por as kjo formë e dobët e kampionëve, nuk e ka lënë larg pozitës së parë, pasi vetëm një pikë është diferenca.

Në krahun tjetër, ekipi nga Skenderaj është me një këmbë larg rënies nga elita, e që kjo këtë sezon mund t’i ndodh për herë të parë në histori të klubit. 


(Kosova Sot Online)