Arsenali ndalet me barazim edhe nga West Hami

  • A.P /
  • 16 April 2023 - 17:14
Arsenali ndalet me barazim edhe nga West Hami

Arsenali ka regjistruar barazimin e dytë radhazi në Premierligë, duke rrezikuar kështu edhe më shumë pozitën e parë.

Skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta luajti baras sot në udhëtim te West Ham Unitedi, në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të.

Ndeshja e zhvilluar në “London Stadium” përfundoi me rezultatin 2:2.

“Topçinjtë” ishin duke udhëhequr me dy gola epërsi, por nuk ia dolën të fitonin në fund.

Gabriel Jesus (7’) dhe Martin Odegaard (10’) shënuan për skuadrën mysafire.

Por, vendasit ia dolën të barazonin gjithçka në vazhdim me golat e Said Benrahma (33’ – nga penalltia) dhe Jarrod Bowen (55’).

Vlen të theksohet se Arsenali kishte mundësi të shënonte në minutën e 52-të, por Bukayo Saka dështoi nga penalltia.

Arsenali pas këtij barazimi ka 74 pikë në krye të tabelës, katër më shumë se Manchester City, që ka një ndeshje më pak.

West Hami ndodhet në pozitën e 15-të me 31 pikë. 

(Kosova Sot Online)