Peja synon fitore në Europe Cup

  • A.P /
  • 16 October 2023 - 16:34
Peja synon fitore në Europe Cup

Pasi brenda pak ditësh arriti t’i mposht si Trepçën e po ashtu edhe Golden Eagle Yllin, skuadrën e Pejës tash e pret një tjetër betejë e madhe.

Pejanët këtë mesjavë do të kenë angazhim në garat evropiane, më saktësisht në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

Të mërkurën, verdh e zinjtë do të luajnë në udhëtim me Niners Chemnitz të Gjermanisë në ndeshjen e Grupit H.

Gjatë ditës së nesërme, pejanët do të nisen drejt Gjermanisë për të luajtur kundër skuadrës që aktualisht zë vendin e katërt në elitën e basketbollit gjerman.

Përballja mes Niners Chemnitz e Pejës do të zhvillohet ditën e mërkurë nga ora 19:00.

Ekipi kosovar paraqitet në këtë garë, pasi nuk arriti të kualifikohet në stinorin e rregullt të Ligës së Kampionëve.

Pejanët synojnë që ta bartin formën e mirë nga kampionati edhe në garat evropiane.

Ata kanë zhvilluar tri ndeshje dhe që të tria i kanë fituar, duke qenë ekipi i vetëm pa humbje në Superligë.

Përveç Niners, Peja në grup është edhe me Heroes De Bosch nga Holanda si dhe Spojnia Stargard nga Poloni.

Peja nuk do të jetë ekipi i vetëm kosovar që merr pjesë në FIBA Europe Cup, pasi aty do të jetë edhe Trepça që debuton në këtë garë.

Xehetarët dolën të parët në turneun kualifikues dhe punë do të kenë me Hapoel Galil Elion, ZZ Leiden dhe Gravelines.

(Kosova Sot Online)