Kupa e Botës 2026 mund të jetë skena e fundit e dy prej futbollistëve më të mëdhenj
Kupa e Botës 2026 mund të jetë skena e fundit e dy prej futbollistëve më të mëdhenj në histori, por edhe një mundësi unike për Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo që të thyejnë rekorde që mund të mbeten të paarritshme për dekada.
Dy legjendat e futbollit do të bëhen lojtarët e parë në histori që marrin pjesë në gjashtë Kupa Bote të ndryshme. Të dy kanë luajtur në edicionet 2006, 2010, 2014, 2018, 2022 dhe tani në 2026, një arritje që askush nuk e kishte realizuar më parë.
Për Messin, ky Botëror mund të sjellë disa rekorde të reja. Kapiteni i Argjentinës hyn në turne me 26 ndeshje të luajtura në Kupat e Botës, më shumë se çdo futbollist tjetër në histori. Ai mban gjithashtu rekordin për më shumë minuta dhe më shumë paraqitje si titullar në këtë kompeticion.
Në aspektin ofensiv, Messi ka kontribuar në 21 gola në Botërorë, duke barazuar legjendën braziliane Pele. Një gol ose asistim tjetër do ta bënte futbollistin me më shumë kontribute në gola në historinë e Kupës së Botës.
Ylli argjentinas ka shënuar 13 gola në Botëror dhe ndodhet vetëm tre gola larg rekordit absolut të Miroslav Klose, i cili kryeson me 16 realizime. Gjithashtu, Messi ka tetë asistime, vetëm një më pak se rekordi i përbashkët i Pele, Didí dhe Fritz Walter.
Argjentinasi mund të thyejë edhe rekordin e fitoreve në Kupat e Botës. Aktualisht ka 16 fitore, po aq sa braziliani Cafu, ndërsa Klose kryeson me 17.
Nga ana tjetër, Cristiano Ronaldo synon të vazhdojë historinë e tij personale. Kapiteni i Portugalisë është futbollisti i vetëm që ka shënuar në pesë Kupa Bote të ndryshme dhe mund të bëhet lojtari i parë që realizon gola në gjashtë edicione të ndryshme të turneut.
(Kosova Sot Online)
