Infantino po promovon një turne të ri

  • A.P /
  • 16 June 2026 - 12:30
Infantino po promovon një turne të ri

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, po promovon një turne të ri për grupmoshat U15, ku ndeshja hapëse mund të zhvillohet mes Izraelit dhe Palestinës, si pjesë e përpjekjeve të tij për ta përdorur futbollin si mjet bashkimi dhe paqeje.

Sipas raportimeve, FIFA synon të ftojë të gjitha 211 federatat anëtare në një turne që pritet të mbahet në Shtetet e Bashkuara gjatë muajit shtator. Infantino dëshiron që Izraeli dhe Palestina të përballen në ndeshjen inauguruese, pavarësisht tensioneve dhe konfliktit të vazhdueshëm mes dy palëve.

Gjatë Kongresit të FIFA-s në Vankuver të Kanadasë, Infantino u përpoq të organizonte një shtrëngim duarsh mes përfaqësuesve të federatave të Izraelit dhe Palestinës, por të dyja palët refuzuan. Pas ngjarjes, zëvendëspresidentja e Federatës Palestineze të Futbollit, Susan Shalabi, deklaroi se nuk mund t’i shtrëngonte dorën një përfaqësuesi që, sipas saj, përdorej për të fshehur vuajtjet e popullit palestinez.

Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur Infantinon. Ai vazhdon të besojë se sporti mund të krijojë ura komunikimi dhe mirëkuptimi.

“Le të punojmë së bashku për t’u dhënë shpresë fëmijëve. Kemi një turne të mrekullueshëm U15 ku do të ftojmë të gjitha 211 vendet anëtare. Le ta bëjmë për fëmijët dhe për të ardhmen,” deklaroi kreu i FIFA-s.

Turneu u prezantua fillimisht në fund të vitit 2025 dhe do të ketë format festiv. Edicioni i parë në vitin 2026 do të zhvillohet për ekipet e djemve, ndërsa në vitin 2027 do të përfshihen edhe ekipet e vajzave. Nga viti 2028 e tutje, të gjitha federatat do të ftohen të marrin pjesë me ekipet e tyre të djemve dhe vajzave në kategori U15.

Për shkak të moshës së lojtarëve, ndeshjet do të zhvillohen në fusha më të vogla, me kohëzgjatje më të shkurtër dhe me ekipe prej shtatë deri në nëntë lojtarësh.

Një tjetër aspekt që ka ngjallur diskutime është mundësia që Rusia të marrë pjesë në këtë turne. Edhe pse kombëtarja e saj e seniorëve vazhdon të jetë e pezulluar nga garat e FIFA-s pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Infantino ka shprehur më herët mendimin se izolimi sportiv nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

“Ky ndalim nuk ka arritur asgjë. Vetëm ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje. Të lejojmë fëmijët dhe të rinjtë rusë të luajnë futboll mund të jetë diçka pozitive,” kishte deklaruar ai në muajin shkurt.

Megjithatë, pavarësisht këtyre komenteve, Rusia mbetet e pezulluar nga garat zyrtare të FIFA-s, ndërsa nuk është konfirmuar ende nëse do të marrë pjesë në turneun e ri për grupmoshat U15. 

(Kosova Sot Online)