Shorti për “Euro 2024”, Shqipëria dhe të tjerët do të mësojnë kundërshtarët

  • S.A /
  • 02 December 2023 - 10:09
Shorti për “Euro 2024”, Shqipëria dhe të tjerët do të mësojnë kundërshtarët

Kombëtarja e Shqipërisë do të mësojë sonte grupin dhe kundërshtarët e Kampionatit Evropian “Euro 2024”, transmeton "Kosova Sot Online".

Në Hamburg prej orës 18:00 do të hidhet shorti për grupet. Skuadrat janë të ndara na katër vazo dhe Shqipëria ndodhet në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë.

Gjermania si nikoqire e Evropianit ndodhet në vazon e parë dhe ekipet e tjera në atë vazo janë Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia.

Në vazon e tretë ndodhen Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Çekia.

Ndërsa vazo e katërt ende nuk është e plotësuar, pasi deri më tani janë të konfirmuar vetëm tre ekipe Italia, Serbia dhe Zvicra. Tre ekipet e tjera do të përcaktohen nëpërmjet fazës së “Play-Offit”, ku bëjnë pjesë 12 skuadra bazuar në performacën e tyre në Ligën e Kombeve.

Skuadrat janë të ndara në tre grupe (A, B dhe C) dhe do të luajnë shanset e tyre në marsin e vitit 2024. Tre fitueset e grupit do të plotësojnë edhe vazon e katërt.

Kampionati Evropian “Euro 2024” do të nisë më 14 qershor dhe do të ulë siparin me finalen e madhe më 14 korrik. 

(Kosova Sot Online )