Ish-futbollisti i Atleticos zbulon pseudonimin e Simeones për Messin

  • E.K /
  • 16 December 2023 - 16:31
Ish-futbollisti i Atleticos zbulon pseudonimin e Simeones për Messin

Atletico Madrid ishte një prej klubeve “të preferuara” të Lionel Messit, gjatë kohës së tij sa ishte te Barcelona.

Ylli argjentinas shënoi 32 gola kundër skuadrës së Diego Simeones, me “Los Rojiblancos” që ishte skuadra e dytë me më së shumti gola të pranuara nga sulmuesi, pas Sevillas.

Kërcënimi i Messit ishte një shqetësim i vazhdueshëm për mbrojtësit e skuadrës nga Madridi.

Ish-mbrojtësi i Atleticos, Filipe Luis, ka dhënë një pasqyrë sesi Simeone planifikonte të përballej me 36-vjeçarin.

Braziliani këmbëngul se ndalimi i Messit ishte gjithmonë një prioritet dhe bashkëkombësi i tij, Simeone, madje krijoi një pseudonim për të.

“Tek Atleti, Simeone i vuri katër lojtarë Messit! Pra, kur ai shënoi, nuk ishte faji i një lojtari, ishte vetëm Messi”, tha Luis, raporton “Marca”.

“Përpara ndeshjeve kundër Barcelonës, Simeone nuk e përdori kurrë emrin e Messit. Ai e quante gjithmonë ‘xhuxh’, kështu që kur të ishim përballë, nuk do të kishim frikë prej tij”, deklaroi ai.

Taktika e Simeones kundër tetë herë fituesit të “Topit të Artë” nuk dha rezultatet që ai donte pasi Barcelona dominonte gjithashtu në përballjet direkte, krahas golave personal të Messit.

Duke filluar nga dhjetori 2011, Simeone humbi tre ndeshjet e tij të para në La Liga kundër Barcelonës.

(Kosova Sot Online)