Zbulohet orari i Superligës për 'Ditën e Pavarësisë'

  • A.P /
  • 15 February 2024 - 16:55
Zbulohet orari i Superligës për 'Ditën e Pavarësisë'

Federata e Futbollit të Kosovës e ka zbuluar orarin e ndeshjeve të xhiros së 20-të të Superligës së futbollit.

Tri ndeshje do të luhen të premten e dy të tjera të dielën, ndërsa të shtunën e 17 shkurtit do të pushohet për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Duel interesant do të jetë ai mes Llapit dhe Dukagjinit.

Këto dy ekipe e nisën me fitore pjesën pranverore të sezonit.

Llapjanët nuk guxojnë të gabojnë nëse duan ta mbajnë ritmin për titull të kampionit duke shpresuar në një gabim të liderit Ballkani, i cili do të jetë mikpritës i Feronikelit 74.

Kampioni aktual po ashtu do t’i kërkojë tri pikët për ta ruajtur distancën prej 6 pikësh ndaj ekipit llapjan.

Dritën e pret një punë e vështirë pasi do ta vizitojë Lirinë, e cila s’ka çka humb nëse dëshiron të shpresojë ende në mbetje në Superligë.

Por, as gjilanasit nuk guxojnë të gabojnë më, pas humbjes nga Llapi, pasi kanë mbetur 9 pikë prapa liderit Ballkani dhe çdo gabim tash e tutje mund t’i lë ata jashtë garës për titull.

(Kosova Sot Online)