Rekord pa humbje dhe +10 ndaj Bayernit, ecuria përrallore e Xhakës, që po e shkruan historinë me Leverkusenin

  • S.A /
  • 07 March 2024 - 12:01
Rekord pa humbje dhe +10 ndaj Bayernit, ecuria përrallore e Xhakës, që po e shkruan historinë me Leverkusenin

Fitorja në derbi kundër Kolnit e afroi Bayer Leverkusenin tek “Meisterschale” i parë dhe historik, për t’ua mbyllur gojën krejt kritikëve dhe atyre që e përqeshnin këtë ekip, duke e quajtur “Neverkusen” për faktin se s’kishte fituar titull ndonjëherë. Sidoqoftë, “Farmaceutikët” s’po ndalen së fituari dhe kështu po i afrohen gjithnjë e më shumë titullit të kampionit, transmeton "Kosova Sot Online ".

Avantazhi i ekipit të Xabi Alonsos ndaj Bayern Munichut tash është 10 pikë, 10 xhiro pa përfunduar sezoni.

Granit Xhaka me shokë e kanë bërë mrekullinë në këtë edicion, ndërsa nuk e kanë pësuar asnjë humbje nga 24 ndeshje, prej tyre plot 20 fitore.

Duke e shtuar serinë pa humbje në DFB-Pokal dhe në Ligën e Evropës, seria pozitive ngritet në 34 ndeshje.

Asnjë skuadër gjermane nuk e ka arritur këtë, madje as Bayerni i Hansi Flickut i sezonit 2019/20, i cili përkundër faktit që i kishte fituar krejt kompeticionet, ishte ndalur në 32 ndeshje. Por, nuk merr fund këtu.

I vetmi ekip i pamposhtur në krejt Evropën

Bayer Leverkuseni është ekipi i vetëm nga të gjitha skuadra e 54 ligave evropiane që nuk e ka humbur asnjë ndeshje sezonale, duke i llogaritur krejt kompeticionet.

Transfere perfekte, Xhaka lider në fushë

Falë miksimit të lojtarëve të rinj dhe të atyre me përvojë, të udhëhequr nga një trajner i destinuar të bëjë gjëra të mëdha dhe një drejtor sportiv që ka bërë gjithçka mirë.

Për shembull, Granit Xhaka ishte një transferim fenomenal për ekipin gjerman pasi ka sjell përvojë dhe e ka marrë ekipin në dorë në fushën e blertë.

Ylli kosovar kishte vendosur të largohej nga Arsenali për ta provuar një eksperiencë të re dhe fillimisht u kritikua për vendimin e marrë pasi njerëzit konsideronin se e kishte bërë një hap prapa në karrierë.

Por, 30 vjeçari ua mbylli gojën kritikëve duke e udhëhequr me sukses Leverkusenin dhe, në bazë të statistikave, duke u bërë njëri prej mesfushorëve më të mirë në Evropë.

Pastaj Alejandro Grimaldo, i cili arriti si lojtar i lirë dhe i ka shënuar 9 gola dhe i ka bërë 10 asistime.

Edhe Jonas Hofmann ka dhënë kontribut të shkëlqyeshëm në fazën ofanzive me kualitetin e tij, ndërsa kryevepër ishte transferimi i Victor Boniface, të cilin Leverkuseni e mori nga klubi belg, Union Saint-Gilloise për 16 milionë euro, ndërsa ai në pjesën e parë të sezonit i shënoi 16 gola në 23 ndeshje para se të lëndohej pak pa nisur Kupa e Afrikës.

Ai e ka zhvilluar ndeshjen e fundit me Bayerin më 20 dhjetor, por ekipi në ndërkohë i ka zhvilluar 8 ndeshje pa e ndier mungesën e tij pasi i fitoi shtatë takime dhe barazoi në një tjetër.

Joie – Bayer Leverkusen || 273823_0018 bayer LEVERKUSEN foot FOOTBALL FRANCE MATCH AMICAL olympique de marseille OM preparation sport sports stade velodrome

Kooperativë e golave

Pa futbollistin nigerian, kanë menduar të tjerët për ta zgjidhur problemin e golit.

Që nga pauza e shkurtër në fundvit, janë plot 10 futbollistë që kanë shënuar gola për Leverkusenin.

Ironia e fatit tregon se as Patrik Schick e as Borja Iglesias, dy sulmues të tjerë, nuk kanë shënuar gola.

Për ta bërë diferencën kujdeset organizimi i lojës së Xabi Alonsos, e cila lejon që të gjendet goli përmes shumë opsioneve/zgjidhjeve.

Faktori Xabi Alonso

Kur e mendon, më 5 tetor të vitit 2022, kur kryesia vendosi ta shkarkonte trajnerin Gerardo Seoane, skuadra ishte në vendin e parafundit në tabelë.

Kur drejtori sportiv, Simon Rolfes e kishte zgjedhur Xabi Alonson, njerëzit e përqeshnin dhe ishin skeptikë.

Bëhej fjalë për mungesë eksperience të trajnerit bask, i cili kishte punuar vetëm për sektorin e të rinjve të Real Madridit dhe për një kohë në Real Sociedad B.

Ai e ngriti moralin e ekipit dhe bëri që lojtarët t’i ndiqnin dhe t’i kryenin me përpikëri urdhrat falë karizmit të tij.

Dhe, rezultatet e para të mira ia rikthyen besimin skuadrës, e cila e bëri një rrugëtim të shkëlqyeshëm në Ligën e Evropës në edicionin e kaluar.

Në këtë sezon, Alonso e ka vazhduar punën e tij duke e perfeksionuar dhe duke e bërë skuadrën në një makineri perfekte. 

(Kosova Sot Online )