Këta janë yjet botërorë të futbollit që agjëruan sivjet

  • S.A /
  • 10 April 2024 - 12:55
Këta janë yjet botërorë të futbollit që agjëruan sivjet

Muaji i shenjtë i Ramazanit e lëshoi perden e tij për vitin 2024.Dhe për këtë, është koha ideale për t’i bërë llogaritë. Për shumë futbollistë të njohur, të cilët i përkasin fesë Islame, ky muaj ishte i veçantë, transmeton "Kosova Sot Online ).

Ata për 30 ditë e kryen atë që i obligon feja e tyre duke hequr dorë nga ushqimi, pija dhe gjëra të tjera, nga agimi i diellit e deri në perëndimin e tij. Edhe pse vazhdon diskutimi nëse ndikon apo jo agjërimi në performancat e tyre, futbollistët insistojnë se besimi në Zot i ndihmon ata në lojë në rastet kur janë duke agjëruar.

Muaji i Ramazanit ka nisur të respektohet me të madhe edhe në ligat e ndryshme të futbollit evropian, mbi të gjitha në Premierligë.

Aty, edhe këtë vit e kemi parë që ndeshjet e caktuara janë ndërprerë përkohësisht, në mënyrë që lojtarët që ishin duke agjëruar, të bëjnë iftar.

Disa yje të futbollit janë të vendosur të agjërojnë edhe në ditën e ndeshjeve, kurse disa të tjerë “e prishin” vetëm në ato ditë.

E në vazhdim, ne do t’ua zbulojmë emrat e yjeve të futbollit që e agjëruan Ramazanin këtë vit.

Karim Benzema njihet si një mysliman i devotshëm.

Ylli francez nuk e ka fshehur asnjëherë përkushtimin që e ka ndaj fesë, duke e zbuluar këtë hapur edhe përmes rrjeteve sociale.

Në Ramazanin e dy viteve më parë madje ishte bërë e famshme një fotografi e tij me hurme, pas së cilave, për koiçidencë, shënonte po aq gola për Real Madridin.

Futbollisti me prejardhje algjeriane, fitues i Topit të Artë, në verën e kaluar i dha fund eksperiencës evropiane dhe u transferua në Saudi Pro League tek Al-Ittihad. Paul Pogba është një tjetër futbollist i përkushtuar ndaj fesë.

Madje, mesfushori francez ka postuar kohë pas kohe fotografi nga vendet e shenjta arabe që i ka vizituar.

Futbollisti i deridjeshëm i Juventusit u pezullua nga futbolli për katër vjet për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara.

Sidoqoftë, ish-futbollisti i Manchester Unitedit ishte njëri prej yjeve të mëdhenj të futbollit evropian në dekadën e fundit.

Kur e përmendim muajin e Ramazanit s’ka se si të mos na shkojë mendja tek Mohamed Salah.

Ylli i Liverpoolit qe një kohë të gjatë e kryen obligimin e përvjetshëm fetar.

Futbollisti egjiptian është një mysliman i devotshëm dhe sa herë shënon gol shikon lart duke e falënderuar Zotin, apo edhe bie në sexhde.

Sadio Mane dikur e agjëronte Ramazanin së bashku me bashkëlojtarin e tij, Salah.

Por, futbollisti senegalez më pas iu bashkua Bayern Munichut e në fund përfundoi në Al-Nassr.

Sidoqoftë, shtegtimet e tij nuk kanë ndryshuar asgjë pasi sulmuesi afrikan e predikon fenë dhe e agjëron Ramazanin.

Ai njihet madje edhe si një njeri mjaft human, duke dhënë shumë nga pasuria e tij për nevojtarët.

Antonio Rudiger është mjaft aktiv në rrjetet sociale kur bëhet fjalë për fenë.

Futbollisti i Real Madridit madje ka postuar edhe fotografi me gishtin tregues lart, që nënkupton se Zoti është një.

E krahas qendërmbrojtësit gjerman, tek Real Madridi agjërojnë edhe tre futbollistë të tjerë, Ferland Mendy, Brahim Diaz dhe Arda Guler.

Natyrisht, lista e yjeve që agjërojnë është goxha e gjatë.

Mjafton t’i përmendim emrat e futbollistëve si Hakan Calhanoglu, Kalidou Koulibaly, İlkay Gündoğan, Riyad Mahrez, Hakim Ziyech, N’Golo Kante, Aschraf Hakimi, Ousmane Dembele, Ibrahima Konaté, Noussair Mazraoui e të tjerë.

Ndërkohë, disa yje edhe pse nuk agjërojnë, i mbështesin lojtarët tjerë myslimanë në bindjet e tyre fetare.

Për shembull, Cristiano Ronaldo çdo vit bën postime në rrjetet sociale, duke e uruar muajin e Ramadanit.

(Kosova Sot Online )