Osimhen afër të përfundojë në Arabinë Saudite

  • A.P /
  • 10 June 2024 - 20:10
Osimhen afër të përfundojë në Arabinë Saudite

Arabia Saudite po vazhdon të shpenzojë para, duke blerë lojtarë nga e gjithë Evropa.

Së fundmi, klubi saudit Al-Ahli është shprehur i gatshëm të paguajë klauzolën e largimit të sulmuesit nigerian, Victor Osimhen.

Al-Ahli pritet të ‘thyejë bankën’ duke paguar klauzolën, e cila shkon në 130 milionë euro.

Osimhen ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane, me Napolin që është shprehur i gatshëm ta shesë nigerianin.

Mirëpo, Napoli do ta lë të largohet, vetëm nëse një klub paguan klauzolën e tij, e cila i ka ‘frikësuar’ PSG-në e Chelsean.

Sipas mediave italiane, Osimhen e ka ndarë mendjen të largohet gjatë verës, mirëpo edhe pse Al-Ahli do të paguajë shifrën e lartë të Napolit, ai ende nuk është pajtuar për kushtet me klubin saudit.

Nigeriani kishte sezonin e tij më të mirë në edicionin 2022/23, kur edhe fitoi Serie A, duke shënuar 26 gola në këtë proces.

Këtë sezon forma e tij ka rënë dukshëm, pas disa problemeve me lëndime në pjesë të ndryshme të sezonit.

Nuk dihet ende nëse Osimhen do të pajtohet me një transferim në Arabinë Saudite, por për Napolin sa më herët që ai largohet, aq më mirë, pasi do të rriste buxhetin e transferimeve dukshëm për napolitanët.

(Kosova Sot Online)