
Lautaro i pari që shënon në shtatë sezone në Champions

159 gola të shënuar me Interin, prej tyre 23 në Ligën e Kampionëve, ku ka shënuar në shtatë sezone radhazi.
Kur kapiten Lautaro Martinez e dëgjon himnin e kompeticionit më të rëndësishëm evropian, vështirë se dështon të shënojë.
Dhe, kjo ndodhi edhe mbrëmë në ndeshjen me Slavia Pragën, në debutimin sezonal për të në Champions duke e pasur parasysh se kishte munguar në Amsterdam kundër Ajaxit shkaku i lëndimit, shkruan “Gazzetta dello Sport”.
Madje, sulmuesi argjentinas shënoi dygolësh mbrëmë ndaj skuadrës çeke.
Pasi u bë të dielën që shkoi golashënuesi i pestë i të gjitha kohëve në fanellën Zikaltër, mbrëmë ai u bë interisti i parë që e shënon së paku një gol në shtatë sezone të ndryshme në Champions: vetëm Haaland, Griezmann e Mbappe e kanë të njëjtën “shprehi” që nga sezoni 2018/19.
Natyrisht, Lautaro synon që në këtë sezon ta përmirësojë statistikën impresionuese të edicionit të kaluar kur i realizonte 9 gola në garën më të rëndësishme të futbollit evropian, përpos asaj nate për t’u harruar në Munich kundër PSG-së.
Në atë natë edhe ashtu ishte i lënduar, por megjithatë i shtrëngoi dhëmbët dhe u mundua t’i ndihmonte shokët në fushën e blertë.
E tash, 28-vjeçari e ka rigjetur formën fizike, por edhe golat: i ka shënuar 21 gola në vitin 2025, një herë më shumë se dy shokët e skuadrës që vijnë pas tij, Thuram e Dumfries me nga 10.
Pa dyshim, “El Toro” ka qenë njëri prej sulmuesve më të mirë në futbollin evropian në vitet e fundit.
(Kosova Sot Online)