Kosova i shkatërroi shpresat e Serbisë për të shkuar në Botëror

  • A.P /
  • 14 October 2025 - 14:30
Kosova i shkatërroi shpresat e Serbisë për të shkuar në Botëror

Kombëtarja e Kosovës e regjistroi mbrëmë një fitore të madhe ndaj Suedisë në udhëtim për ta “blinduar” pozitën e dytë në grup, në kualifikimet e Botërorit 2026, ndonëse i kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’i zhvilluar.

Sidoqoftë, kjo fitore e Dardanëve ua shoi shpresat suedezëve për të përfunduar në pozitën e dytë, e cila çon në “play-off” për ta kërkuar kualifikimin në Kupën e Botës.

E kjo fitore e Kosovës iu ka djegur më së shumti serbëve.

Kjo pasi falë trepikëshit të Vedat Muriqit me shokë, u shuan përfundimisht shpresat e serbëve për t’u kualifikuar në Botëror përmes Ligës së Kombeve.

E paraprakisht, serbëve një tjetër shuplakë ua dha Kombëtarja shqiptare, e cila i mposhti në Leskovc të shtunën që shkoi.

Mediat serbe po e vajtojnë fitoren e mbrëmshme të Kosovës, e cila do t’i detyrojë lojtarët serbë që ta shikojnë Botërorin në vitin tjetër përmes televizorit.

“E ashtuquajtura Kosovë i shkatërroi shpresat e Shqiponjave. Serbia mbeti pa një shans për t’u kualifikuar në Kupën e Botës përmes Ligës së Kombeve”, shkruan mediumi serb “Kurir”.

Edhe mediumi tjetër i njohur serb, “Blic” ka mbetur i shokuar me fitoren e Dardanëve mbrëmë, duke e përmendur faktin se Kosova i është afruar kështu kualifikimit në Kupën e Botës, e cila do të mbahet vitin tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë.

Serbia në fakt do të mbetej në garë për të shkuar në Botëror përmes Ligës së Kombeve vetëm me kusht që Suedia të mbetej në garë për të përfunduar e dyta në grupin me Kosovën, Zvicrën e Slloveninë.

Pra, Serbia i mori dy goditje të rënda brenda dy ditësh, nga humbja prej Shqipërisë dhe nga fitorja e Kosovës.


(Kosova Sot Online)