Flick përballë dy dilemave për 'El Clasicon'
Barcelona i ka fituar të katërta ndeshjet e fundit ndaj Real Madridit dhe do të shpresojë ta vazhdojë këtë formë edhe në “El Clasico”-n e fundjavës, që zhvillohet në “Santiago Bernabeu”.
Skuadra e Hansi Flickut nuk do të jetë në përbërje të plotë për këtë udhëtim, por edhe ashtu, trajneri gjerman do të ketë disa dilema për formacionin titullar.
Mungesa e Joan Garcia-s nënkupton që Wojciech Szczesny, i cili ende nuk ka arritur të ruajë portën e paprekur që kur është rikthyer në formacion, do të vazhdojë të mbrojë portën. Para tij, megjithatë, ka pasiguri për të paktën një nga pozicionet mbrojtëse.
Në dy ndeshjet e fundit të Barcelonës, Flick ka vendosur për një katërshe mbrojtëse me Jules Kounde, Eric Garcia, Pau Cubarsi dhe Alejandro Balde. Kjo ka bërë që Ronald Araujo të mbetet i pakënaqur në bankë, por sipas Marca-s, ka shumë gjasa që ai të rikthehet në formacion ndaj Real Madridit.
Shpejtësia e rikuperimit të Araujo-s është shumë e vlefshme kundër lojtarëve si Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe, prandaj do të kishte logjikë që ai të startonte. Nëse kjo ndodh, mbetet të shihet kë do të zëvendësojë, me shumë gjasë mes Kounde dhe Eric Garcia. Nëse largohet Kounde, atëherë Eric do të spostohej në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku ka luajtur edhe në fillim të sezonit.
Në mesfushë, Frenkie de Jong dhe Pedri pritet të jenë dyshe, për sa kohë që holandezi shërohet nga një sëmundje e lehtë gjatë ditëve në vijim.
Në sulm, Lamine Yamal, Fermin Lopez dhe Marcus Rashford janë të sigurt për t’u aktivizuar nga minuta e parë, ndërsa mbetet e paqartë kush do t’u bashkohet atyre, Raphinha apo Ferran Torres.
Të dy lojtarët janë kthyer nga lëndime në muskul, por vetëm njëri do të startojë. Ferran shihet si favorit pasi ka munguar për një periudhë më të shkurtër, ndonëse Raphinha mund të rrezikohet të aktivizohet, duke qenë se ka qenë në formë të shkëlqyer ndaj Realit gjatë gjithë sezonit të kaluar.
Nëse luan Ferran, Rashford do të vendoset në krahun e majtë, ndërsa në rast se starton Raphinha, anglezi do të luajë si qendërsulmues. Flick duhet të marrë vendime të rëndësishme, si për sulmin, ashtu edhe për përbërjen e mbrojtjes.
(Kosova Sot Online)
