Slot ka vendosur ta përfshijë Mohamed Salahun

  • A.P /
  • 13 December 2025 - 09:26
Slot ka vendosur ta përfshijë Mohamed Salahun

Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka vendosur ta përfshijë Mohamed Salahun në skuadrën që do të përballet me Brighton & Hove Albion këtë fundjavë, ndërsa ”TEAMtalk” ka zbuluar se si holandezi arriti në këtë vendim.

Mo Salah u la jashtë skuadrës së Liverpoolit për ndeshjen e Champions League kundër Interit në “San Siro” në mesjavë.

Kjo erdhi pas shpërthimit të anësorit egjiptian ndaj Slotit, pasi ai nuk u aktivizua nga stoli në ndeshjen e Premierligë kundër Leeds United në “Elland Road” fundjavën e kaluar.

Salah kritikoi Liverpoolin dhe akuzoi klubin se e hodhi “nën autobus”, duke vënë gjithashtu në pikëpyetje vendimin e Slotit për ta lënë jashtë formacionit titullar në ndeshjet kundër Sunderlandit dhe West Ham United.

Sipas ”TEAMtalk”, Salah do të rikthehet në skuadrën e Liverpoolit për ndeshjen e Premierligë kundër Brighton & Hove Albion në “Anfield” të shtunën, pavarësisht se nuk ka folur fare me Slotin që nga përplasja e tij publike me klubin fundjavën e kaluar.

Më herët gjatë kësaj jave është raportuar se brenda skuadrës së Liverpoolit besohej se Salah nuk do të përfshihej, duke qenë se ekipi ishte përgatitur për pjesën më të madhe të javës pa të.

Është konfirmuar se Slot ka biseduar me drejtuesit e Liverpoolit dhe me lojtarë kyç të skuadrës për të vlerësuar situatën, përpara se të merrte vendimin përfundimtar lidhur me Salahun, raporton “TEAMtalk”.

Ndeshja kundër Brightonit do të jetë e fundit për Salahun përpara se ai të bashkohet me Egjiptin në Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON), dhe pritet të rikthehet në mesin e janarit.

Raportohet se sapo Salah të largohet nga Liverpooli për AFCON, brenda klubit do të zhvillohen bisedime të tjera për të ardhmen e tij afatgjatë, e cila mbetet ende e paqartë.

Liverpooli, kampion i Premierligës sezonin e kaluar, ka grumbulluar vetëm 23 pikë nga 15 ndeshje deri tani këtë sezon dhe ndodhet tashmë 10 pikë pas liderëve Arsenal.

Forma e Salahut ka qenë zhgënjyese këtë sezon, me anësorin egjiptian 33-vjeçar që ka shënuar vetëm pesë gola dhe ka dhënë vetëm tre asistime në 19 paraqitje për “The Reds”.

(Kosova Sot Online)