Reagon Blatter: Do të pastrojmë futbollin

  • 27 May 2015 - 22:17
Reagon Blatter: Do të pastrojmë futbollin

Në një kohë kur ka plasur skandali i radhës dhe zërat kritikë po shtohen gjithnjë e më shumë, Sepp Blatter nuk ka ndërmend të bëjë prapakthehu, përkundrazi duket i vendosur në rrugën drejt mandatit të pestë në krye të FIFA-s. Përmes faqes zyrtare të institucionit që drejton, zvicerani ka shpërndarë një deklaratë, ku nga fjalët duket mjaft i qetë në një ditë të trazuar.

“Kjo është një kohë e vështirë për futbollin, tifozët dhe FIFA-n. I mirëpresim hetimet e autoriteteve amerikane dhe zvicerane, të cilat na ndihmojnë në rrugën që kemi nisur për pastrimin e futbollit. Veprime të tilla nuk kanë vend këtu dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’i larguar nga loja. Këto hetime janë të ngjashme me masat e nisura nga FIFA dhe puna jonë do të vazhdojë që futbollit t’i rikthehet besimi dhe të jetë i çliruar nga çdo gjë e gabuar”, është ky thelbi i deklaratës së Blatter, i cili për momentin, për shkak të hetimeve nuk mund të largohet nga Zvicra.

Nga ana tjetër, UEFA i ka cilësuar ngjarjet e fundit si katastrofike jo vetëm për FIFA-n, por për futbollin në tërësi. Institucioni i drejtuar nga Michel Platini bëri thirrje që zgjedhjet presidenciale mes Princit Ali dhe Platini të shtyhen për momentin dhe të zhvillohen në një datë tjetër brenda 6 muajve të ardhshëm.