Shtyjnë ditët falë solidaritetit të qytetarëve

  • 24 June 2017 - 18:00
Shtyjnë ditët falë solidaritetit të qytetarëve

Pavarësisht pretendimeve që jetesa e kosovarëve dita-ditës po përmirësohet dhe standardi jetësor po avancohet, realiteti jetësor në kryeqytet vazhdon të flasë të kundërtën. Papunësia, varfëria dhe skamja vazhdojnë të rëndojnë jetesën e familjeve në kryeqytet. Jo larg pjesës së vjetër të Prishtinës, te Hani i Dilit, në rrugën "Mentor Retkoceri", për 15 vjet i zbardh dhe ngrysë ditët familja 7- anëtarëshe e Gani Shabanit. Duke iu afruar lagjes dhe shtëpisë së tij, ekipi i "Kosova Sot" regjistron peshën e viteve që po rëndon familjen Shabani që vazhdon të përballet me përditshmërinë në një shtëpi të huaj, të demoluar, me dimra të ftohtë dhe depërtim të reshjeve brenda ambienteve të shtëpisë.

Image

 

Gjendja ekonomike e familjes, e rëndë

Sapo makina iu afrua shtëpisë, të lodhur, të rraskapitur, me sy të lëngëzuar dolën të na prisnin anë- tarët e familjes Shabani. Fjalët ishin të tepërta për familjen 7- anë- tarëshe, ku ngrysja e fytyrës së plaku tregonte që atyre çdo ditë e më shumë po u vështirohej shëndeti, ku këtë shëndet ua rëndon edhe më shumë gjendja financiare. Mbijetesa me një ndihmë sociale për këtë familje është e paktë. Për 15 vjet rresht familja Shabani ka pritur festat e shumta vit për vit me brenga, pa pasur mundësi t'i gëzojë fëmijët, ashtu si edhe kërkohet në rast festash. Apo më mirë të themi kanë qenë të shumta rastet kur festat për ta nuk kanë ekzistuar fare, sepse për ta brenga kryesore ka qenë se si të mbijetojnë të ftohtët dhe sfidat që sjell e nesërmja. Tashmë Festa e Bajramit po afrohet dhe familjen Shabani përsëri e mban shpresa se zemra e mirë e qytetarëve do të fitojë dhe edhe kësaj familje nuk do t'i mungojë ndihma e tyre, sikurse çdo vit. I emocionuar kryefamiljari Gani Shabani rrëfen për kalvarin e familjes së tij në kryeqytet për të siguruar mbijetesën, me shpresë se e ardhmja do t'i sjellë ditë më mira, të paktën për mbesat dhe nipin e tij. Shuma simbolike që merr ai, në emër të ndihmë sociale dhe pensionit, nuk i mjafton të mbulojë nevojat e fëmijës së vogël të djalit të tij, e lërë më nevojat e tjera. Por, falë solidaritetit të qytetarëve, Ganiu arrin të shtyjë ditët, që shumë herë janë sfiduese.

Image

 

Mosha tani nuk e lejon të punojë me karrocë

Vuajtjet për familjen Shaban nisën shumë vjet më parë dhe po vazhdojnë dhe sot. Pavarësisht se Ganiu shpresonte se pas lufte gjërat do të shkojnë për së mbari, çdo ditë del duke shtyrë një karrocë dorë, për të siguruar mbijetesën. Derisa sëmundja dhe pesha e viteve 'e privuan' nga karroca mbijetuese. Ganiu tregon se për 15 vjet jetojnë në një shtëpi të huaj, në rrugën "Mentor Retkoceri", që shumë shpejt do të duhet ta lëshojnë edhe atë. Po e mban shpesa se shteti nuk do ta lërë në rrugë. Ai ka thënë se pret që të vendoset në një banesë të dedikuar për familjet me kushte të rënda. Por, edhe këtë vit festën e Bajramit do ta presë në këtë shtëpi, me sy drejt rrugës për të pritur bamirësit."Deri më sot kemi arritur të mbijetojmë me një ndihmë sociale dhe me solidaritetin e qytetarëve, të cilët na kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme", ka thënë ai për "Kosova Sot", duke treguar se derisa kishte shëndet ai përditë mblidhte çdo gjë që mund të shitej për t'i siguruar sadopak të ardhura. Ai tregon se me vështirësi arrin t'ia dalin, pasi nuk është aspak e lehtë për të përballuar nevojat për 7 anë- tarët e familjes Shabani. "Vallahi me zor po ia dalim! Me ndihmën e hallkut po arrijmë të përmbushim disa nga nevojat që kemi. Bamirësit asnjëherë nuk na kanë lënë ta presin festën e Bajramit pa na ndihmuar", ka thënë kryefamiljari Shabani, duke shpresuar se njëjtë do të ndodhë edhe këtë herë në prag të festës së Bajramit. I rrethuar nga nipërit e tij, ai shpreson se e ardhmja do të jetë më e mirë për ta. 

Image
Image

 

I duhet ta heqë veshkën

I mundur nga sëmundja, Ganiu tregon se tashmë kur po i afrohet të 70-tave, shëndeti nuk e lejon që të punojë. Tashmë ka vite që nuk mund të bëjë punë me karrocë. Vizitat te mjeku janë më të shpeshta dhe kostoja për barnat po i shtohet. "Madje, edhe sot pata një vizitë dhe doktori më sugjeroi të bëj një operacion për ta hequr njërën veshkë, pasi ajo nuk funksionon fare. Por, nuk e di, mendoj që ta lë krejt këtë punë", ka potencuar ai. Madje, ka treguar se shpesh dhe më herët nuk qëndronte mirë me shëndet dhe shumë herë në shtëpi ishte sjellë i dërmuar, pas punës së lodhshme në rrugë. 

Image

 

(Kosova Sot)