Nga kamera, maçoku duket se qan pasi lihet vetë në shtëpi

  • E.K /
  • 18 February 2021 - 15:40
Nga kamera, maçoku duket se qan pasi lihet vetë në shtëpi

Një maçok është bërë shumë i njohur në Kinë pasi nga pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë duket se ishte duke qarë pasi u la vetë në shtëpi, kur pronarja e tij shkoi për pushime.

Maçoku dyvjeçar, i quajtur Fu Fu, besohet se qau përderisa e dëgjoi pronarin e vet duke e thirrur në emër përmes pajisjes për vëzhgimin e shtëpisë nga largësia.

Pronarja e maçokut, zonja Meng, tha se ishte duke e kontrolluar gjendjen e kafshës përmes një aplikacioni për vëzhgim, kur e pa skenën prekëse, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Pamjet e kamerave u incizuan javën e kaluar në Xuzhou, në pjesën lindore të Kinës, pasi zonja Meng kishte shkuar te shtëpia e prindërve të saj për ta festuar Vitin e Ri Kinez.

Videoja 17-sekondëshe, e cila ka marrë më shumë se tetë milionë pëlqime, e bëri shumë të popullarizuar në rrjetet sociale maçokun që tashmë po njihet si “maçoku i lënë pas dore”.

Meng tha për mediet se vendosi që të mos e merrte maçokune me vete nga frika se ai nuk do të mund të mësohej në shtëpinë e prindërve të saj. Ajo tha se maçoku është i turpshëm dhe i pëlqen shumë të kalojë kohë me të.

Për t’u siguruar për mirëqenien e maçokut, Meng kishte siguruar ushqim dhe ujë para se të udhëtonte dhe kishte vendosur që ta vëzhgonte vazhdimisht përmes aplikacionit.

(Kosova Sot Online)