Husky testohet për mbrojtje nga plaçkitja e armatosur, s’e prish gjumin hiç

  • A.P /
  • 19 February 2021 - 15:59
Husky testohet për mbrojtje nga plaçkitja e armatosur, s’e prish gjumin hiç

Një qen i racës Husky ka dështuar keq gjatë një trajnimi për reagim në rast të plaçkitjes së armatosur në një bizhuteri.

Nga kamerat e sigurisë në lokal, qeni shihet duke e injoruar plotësisht personin që paraqitet si plaçkitës i armatosur në një dyqan në Chiang Ma të Tajlandës, shkruan Daily Mail.

Gjatë trajnimit testues, një burrë i afrohet shitësit duke ia drejtuar pistoletën e rreme. Pronari priti që qeni të ngrihet dhe ta sulmojë “plaçkitësin”, por kafsha as që lëvizi nga vendi.

Pronari u mundua që t’ia tërhiqte vëmendjen qenit duke e shikuar dhe duke i pëshpëritur, por Husky nuk reagoi as kur “plaçkitësit” iu dha qesja me para.

Pas përfundimit të testimit, pronari i dyqanit tha se ishte qesharake që qeni u kujdes më shumë për gjumin e vet sesa për ruajtjen e dyqanit. “Sapo mora vesh se Lucky (emri i qenit) ka prioritete tjera. Atij i pëlqen të fle më shumë sesa ta ruajë dyqanin”, tha ai.

“Nëse do të ishte plaçkitje e vërtetë, do të isha i vdekur. Ai ndoshta do ta linte të ikte plaçkitësin, nëse do t’i ofrohej ushqim”, shtoi ai.

Pavarësisht rezultatit dëshpërues në testim, pronari i qenit tha se do të vazhdojë ta mbajë kafshën në dyqan. “Ia kam vënë emrin Lucky (nga anglishtja: fat), sepse më sjell fat. Ndoshta ky është qëllimi i tij, që t’i bëjë të gjithë të lumtur e jo t’i ruajë dyqanet”, tha në fund pronari.

(Kosova Sot Online)