Aksident masiv me 158 automjete lë disa të vdekur e shumë të plagosur

  • A.P /
  • 24 October 2023 - 17:16
Aksident masiv me 158 automjete lë disa të vdekur e shumë të plagosur

Të paktën shtatë persona kanë vdekur pasi një “super mjegull” e dendur shkaktoi një aksident masiv me 158 makina pranë New Orleans. Mjegulla e dendur dhe avujt e shumta kënetore u përzien duke reduktuar dukshmërinë për shoferët që lëviznin të hënën, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Njëzet e pesë persona u plagosën gjatë përplasjen në Interstate 55, tha policia, e cila paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet. Disa automjete morën flakë dhe u braktisën, duke lënë një gjurmë rrënojash të djegura dhe metali të prishur.

Zjarri shpërtheu pasi një nga automjetet e përfshira në aksident ishte një kamion cisternë që mbante atë që policia e quajti një “lëng të rrezikshëm”. Një makinë doli nga rruga dhe u fut në ujë, por shoferi u shpëtua, tha policia. Zyrtarët thanë se autostrada ka qëndruar e mbyllur të paktën deri në mesditën e së martës. Mike Tregre, sherifi i zonës, tha se rreth 100 njerëz ishin të bllokuar dhe autobusët e shkollave po përdoreshin për t’i transportuar ata në destinacionet e tyre.

Shërbimi Kombëtar i Motit në New Orleans e përshkroi fenomenin e motit si një “super mjegull”, duke paralajmëruar se kushte të ngjashme të rrezikshme të motit mund të shfaqen më vonë këtë javë. Në faqen e saj të internetit, ajo thotë se super mjegull mund të formohet kur një përzierje tymi dhe lagështie nga bimësia e lagësht dhe e djegur përzihet me ajër në të ftohtë.

Luiziana ka luftuar me zjarret flakëruese, valët e të nxehtit dhe thatësirat e pamëshirshme gjatë verës. Thatësira e jashtëzakonshme – kategoria më e lartë e gjurmuar nga Monitoruesi i Thatësirës në SHBA – është aktualisht në vend në 62% të shtetit jugor.

(Kosova Sot Online)