Djali i tij u vra 28 vite më parë gjatë xhirimeve të filmit, familja e Bruce Lee reagon pas incidentit tragjik që i ndodhi aktorit Alec Baldwin

  • G.G /
  • 23 October 2021 - 10:15
Djali i tij u vra 28 vite më parë gjatë xhirimeve të filmit, familja e Bruce Lee reagon pas incidentit tragjik që i ndodhi aktorit Alec Baldwin

Familja e aktorit të ndjerë, Brandon Lee ka reaguar pas lajmeve të vrasjes së kineastes Halyna Hutchins dhe plagosjes së regjisorit, Joel Souza, nga aktori Alec Baldwin gjatë xhirimeve të filmit “Rust”.

Brandon, i cili është djali i ikonës së arteve marciale, Bruce Lee, vdiq në moshën 28-vjeçare në mars të vitit 1993, gjatë xhirimeve të “The Crow” në Karolinën e Veriut.

Emri i tij filloi të përhapet në Twitter pasi përdoruesit e rrjeteve sociale vunë re ngjashmëritë e rrethanave të vdekjes së tij dhe të Hutchins.

Në një postim në faqen zyrtare të Lee në Twitter, të afërmit e aktorit të ndjerë shprehën ngushëllimet për familjen e kineastes, ndërsa uruan që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë.

“Mendimet tona shkojnë për familjen e Halyna Hutchins dhe Joel Souza, si edhe të gjithë personave të përfshirë në incident”, shkruhet në llogarinë e Lee në Twitter, që menaxhohet nga motra e tij, Shannon Lee. “Askush s’duhet të vritet kurrë nga një armë zjarri gjatë xhirimeve të një filmi.”

Brandon Lee, i cili ishte aktori kryesor në “The Crow”, u qëllua për vdekje me një plumb të kalibrit 44 nga kolegu i tij Michael Massee, i cili nuk ishte në dijeni që arma ishte e mbushur me plumba të vërtetë.

Prokuroria nuk ngriti asnjë akuzë në atë kohë, ndërsa nëna e aktorit ngriti një padi ndaj kompanisë së prodhimit të filmave për neglizhencë, çështje që u zgjidh jashtë dyerve të gjykatës.

Në një intervistë në vitin 2005, Massee tha se kishte mbetur i traumatizuar nga tragjedia.

“Ishte një aksident tragjik. Është diçka me të cilën më duhet të jetoj. Mu desh kohë që të isha në gjendje të filloja jetën time”, tha aktori, i cili ndërroi jetë në vitin 2016, në moshën 64-vjeçare.

Vrasja e Hutchins dhe plagosja e Souza tronditën botën e kinematografisë, ndërsa mbetet ende mister se pse arma që mbante Alec Baldwin ishte e mbushur.

42 vjeçarja Hutchins u shpall e vdekur nga personeli mjekësor në Spitalin e Universitetit të Neë Mexico të enjten.

Ndërsa regjisori 48-vjeçar është shtruar në Qendrën Mjekësore Rajonale të Christus St. Vincent dhe nuk dihet ende gjendja e tij shëndetësore.

(Kosova Sot Online)