Pasi i doli emri në përgjimet e policëve, flet Zaimina Vasjari

  • A.P /
  • 11 April 2022 - 22:55
Pasi i doli emri në përgjimet e policëve, flet Zaimina Vasjari

Emri i Zaimina Vasjari doli në përgjimet e policëve të arrestuar në Morinë. Një aksion që kishte për synim goditjen e policëve të korruptuar, ka nxjerrë në pah edhe emrin e këngëtares.

Sipas përgjimeve, Zaimina ka kaluar kufirin në Morinë, me fëmijët, pa prokurën e posaçme. ‘Panorama Plus’ kontaktoi me këngëtaren për të marrë variantin e saj të ngjarjes.  

‘Unë kam një fëmijë tre javësh, dhe s'e kam lexuar fare, nuk kam kohë të merrem’, ka thënë ekskluzivisht artisja.

Megjithatë në prononcimin e saj, ajo ka mohuar lajmin se ka udhëtuar drejt Kosovës me fëmijët pa prokurë.

‘Është thjesht një lajm portalesh. Nuk është e vërtetë, unë nuk kam kaluar asnjëherë në Morinë me fëmijët. Kam një fëmijë tre javësh dhe po kaloj një kohë shumë të bukur. Nuk dua që emri im të lakohet nëpër portale për këtë çështje’, është shprehur këngëtarja, e cila ka mohuar kështu përfshirjen e saj në përgjimet e policëve të arrestuar.

Në një prej episodeve interesante që vërehen në dosje është edhe me protagoniste artisten dhe këngëtaren Zaimina Vasjari, e cila ka kaluar fëmijët e saj në kufi pa prokurën e posaçme.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se datën 02.01.2022, ora 10:57, në aplikacionin ‘Whatsapp’, shtetasi i regjistruar me emrin ‘Tani Durrës’ i thotë Laert Sulos me sms: ‘…..është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty Morinë, po s’ka prokurë, Zaimina Vasjari.

Laert Sulo Polici: Kur do kthehet?

Tani: Ja ta pyes… dy ditë, datë 4 ka kthim…

Laerti: Ok, çfarë makine ka ose jepi nr. tim të flas me të…

Tani: ‘Renxh Rover’ ‘AA001UD’…

Laerti: Ok.

Menjëherë më pas, ora 11:00, Laert Sulo ia kalon me mesazh targën e automjetit të shtetases si porosi për ta ndihmuar punonjësit të Policisë, Emilton Asllanaj me detyrë përgjegjës turni në P.K.K Morine duke i thënë:

Laert Sulo: Ndihmoje pak është duke ikur për në Kosovë, duhet ta njohësh, Zajmina Vasjari.

Emiltoni: Jepi nr. tim

Nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se shtetasja Zaimina Vasjari ka kryer dalje nga Republika e Shqipërisë në datë 02.02.2022 dhe ka hyrë në datë 04.02.2022, duke kaluar kufirin me mungesë dokumentacioni Prokurore për fëmijët e mitur, duke u favorizuar dhe ndihmuar nga punonjësi i Policisë Emilton Asllanaj, kundrejt porosisë të marrë nga shefi i stacionit, Laert Sulo. Po ashtu, nga verifikimi në sistemin TIMS rezultojnë të regjistruar edhe dy fëmijët e saj të mitur.

(Kosova Sot Online)