Ngjarje e vërtetë: Si i tregova burrit se djalin NUK E KISHA ME TË (4) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vėrtetė: Si i tregova burrit se djalin NUK E KISHA ME TĖ (4)

Ngjarje e vėrtetė: Si i tregova burrit se djalin NUK E KISHA ME TĖ (4)

Doja t'ia tregoja edhe pjesën e vjetër të qytetit, në mënyrë që, pasi që të ktheheshim në shtëpi, të kishim me çka të mburreshim para miqve. Kur të nesërmen u lodhëm nga ecja, u ulëm në verandë, ku dikur moti, kisha njoftuar babanë e tij. E kapluar nga kujtimet, as që kisha vërejtur se dikush më shikonte.

- A ka mundësi?! Kë po e shohin sytë e mi?

- Dini mu afrua me një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Nuk kishte ndryshuar edhe pse nga takimi ynë i fundit kishin kaluar dhjetë vjet. Flokët vazhdonte t'i kishte të zeza, pa asnjë qime të thinjur. U përshëndetëm si dy miq të vjetër. Isha e lumtur kur kuptova se në mua nuk kishte as zemërim, e as keqardhje për shkak të fundit të çuditshëm të dashurisë tonë. Ndjeja vetëm kënaqësi që e shihja pas aq shumë viteve.

- A të ka ardhur keq që u largove nga këtu? - më pyet. Më shikoi drejt në sy, sikur të donte të mi lexonte mendimet.

- Jo, jam e lumtur me familjen time. E ti? A je mirë?

- Isha shpërngulur këtu disa muaj pasi që ishe larguar ti. E di, më punësuan në atë vendin e punës. Dhe, sot jam drejtor i ish-shkollës tënde. Të kujtoj shpesh dhe kisha shpresuar se do të të takoja, të paktën gjatë verës, por Hektori më thotë çdo vit se pushimet i kaloni diku tjetër. Pse nuk vije? Nuk e pyeta si e njihte vëllain tim, por vetëm e ngrita vetullën. Dini kuptoi se çka doja ta pyesja, prandaj ma qartësoi. - Hektori dhe unë njihemi mirë. Diana është nxënëse imja - buzëqeshi ai. Në atë moment deri te ne erdhi Lumi duke vrapuar dhe e shikoi me kureshtje.

- Unë jam Dini, miku i vjetër i nënës tënde - i tha ai djalit tim. Lumi i buzëqeshi dhe dëshiroi të kthehej te porti, për t'i numëruar anijet. Por, Dini nuk i hiqte sytë nga flokët e tij të dendura, kaçurrela. - A dëshiron lëng, apo akullore? Apo të dyja? - e pyeti duke ia lëmuar flokët.

- Vetëm akullore.

- A e di ti se edhe një muaj e kam ditëlindjen?

- Lumi menjëherë u miqësua me Dinin.

- Njëmend, a? E ti, a e di se sa vjet ke, përafërsisht aq kohë unë nuk e kam parë nënën tënde? - konstatoi Dini. Me një zë të çuditshëm e të shterur Dini filloi ta merrte në pyetje djalin tim, se në cilën ditë ka lindur dhe disa pyetje të tjera, të çuditshme. Kuptova se ku e kishte dyshimin, prandaj u shtanga nga mendimi se çka mund të dilte nga kjo bisedë.

- Të shkojmë, Lum. Me gjasë na presin për drekë - doja që të largoheshim që më parë.

- Shihemi, shok. Hajde nesër për akullore - i tha Dini.

- Në rregull, por vetëm pas larjes në plazh. Apo jo, nënë? Nuk iu përgjigja fare. E kapa fort për dore dhe u nisa me nguti.

- Pse më shtrëngon kështu? Nuk do të të iki. Dhe, pse po ngutesh kështu? - filloi të kundërshtonte Lumi.

- Po ngutem sepse janë duke na pritur. Me gjasë deri tani të gjithë janë të uritur - i thashë unë. Në vetvete e lusja Zotin që ai kurrë të mos e merrte vesh arsyen e vërtetë të ngutjes sime. Pyetjet e çuditshme të Dinit dhe shikimet enigmatike më kishin shqetësuar shumë. Ndihesha si e zënë në kurth. Dyshimi i cili me vite kishte qenë i pranishëm në mua, tani kishte marrë kontura krejtësisht të qarta. Derisa Lumi dhe Dini qëndronin pranë njëri-tjetrit, mua më kishte tmerruar ngjashmëria e tyre. Lumi është i biri i Dinit, ia pranova vetes pas disa vitesh. Deri atëherë kisha evituar çdo mendim në këtë drejtim. Koka më plaste nga dhembja, prandaj atë natë rashë për të fjetur para të gjithë të tjerëve.

- Halla Meri, ju thërret drejtori im - Diana e habitur ma zgjati telefonin e Hektorit.

- Dua të të shoh. Hajde nesër paradite. Edhe ti e di se na duhet të flasim. Dhe, hajde vetëm - më tha ai me një seriozitet të madh. (vijon) 

(Kosova Sot)

14 orë e 4 minuta më parë
21/01/18
aaaaaaaa