Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (13) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (13)

Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (13)

Këtë fat, fatin e mbetjes shkret, e kishte përjetuar edhe fshati kufitar malor i Llapit, të cilin vetëm ajo bjeshka e lartë e ndante nga Serbia. Edhe ato 4-5 shtëpi që kishin mbetur jetonin në një si ankth, a stres të pamundësisë për t'u "zdirgjur" në qytet. Shikohej dhe analizohej çdo mundësi në këtë drejtim. Me gjasë e vetmja familje që nuk kishte ambicie të tilla ishte familja e të ndjerit bacës Milazim. Milazimi, që kishte vdekur pak para lufte, kishte qenë një njeri i mirë, një njeri që të gjithë fshatarëve iu ndihmonte me çka kishte mundësi. Ishte shumë i vyer. Gjithandej tokave të tij kishte mbjellë pemë të ndryshme. Kur shihte fëmijët duke marrë pemë, vetëm sa ua tërhiqte vërejtjen që të mos i thyenin degët, përndryshe për të ngrënë, mund të hanin sa të donin. Ishte me të vërtetë e çuditshme si mund të ishte Milazimi një njeri kaq i qetë dhe zemërmirë, kur dihej krejt se çka i kishte servuar jeta atij. Kishte pasur pesë fëmijë, por që të gjithë i kishin vdekur. Disa më të vegjël, e disa më të rritur. Shumica prej tyre kishin vdekur aty për aty. Gjatë ditës shëndosh e mirë, e në mbrëmje kishin filluar që të ligështoheshin, për të mos i çelur mëngjesi, duke mos pasur rast as të shkonin te mjeku, në Podujevë. "I ka mbytur mësyshi, syni i keq", thoshte gruaja e Milazimit, me zemër të thyer. Vetëm njëri, një djalë 17-vjeçar, kishte vdekur aksidentalisht. Ai kishte shkuar te një fqinj për t'i ndihmuar në pastrimin e një bunari, kur ishin shembur gurët dhe e kishin zënë përfundi, duke e lënë pa shpirt. Gruaja e Milazimit kishte pasur fatin e hidhur që të përjetonte vdekjen e pesë fëmijëve, pesë bimëve të saj të shpirtit. Dy vjet nga vdekja e djalit, fëmijës së fundit, kishte vdekur edhe ajo, disi në heshtje, sikur një pemë që fillon të vyshket, dalëngadalë, për të parë një ditë se ajo është tharë tërësisht, ka mbetur pa jetë. E, baca Milazim, për çudi, më me lehtësi kishte përjetuar vdekjen e fëmijëve. "Zoti i ka falë, të tij janë, ai i merr kur të dojë". Zakonisht kështu thoshte kur të tjerët shkonin për t'i thënë "ti shnosh" për vdekjen e fëmijëve. Por, vdekja e gruas sa nuk e shkatërroi të gjorin. Edhe pse ishte goxha burrë, në fund të të pesëdhjetave, kur kishte mbetur i ve, disi dukej si një jetim, të cilit sapo i kishte vdekur nëna. Ai nuk kishte vëllezër, as motra. Kishte vetëm disa kushërinj që jetonin në fshat. Dorën në zemër, pas vdekjes së gruas të gjithë ata e ftuan që të shkonte te ndonjëri tek ta për të jetuar, por Milazimi nuk pranonte. Donte të jetonte në shtëpinë e vet. Një ditë, pasi që baca Milazim për disa ditë nuk ishte parë në fshat, pa pritur e pa ditur u përhap lajmi se ai kishte marrë nuse. E, kush mund ta besonte një gjë të tillë?! Në fillim të gjithë kishin menduar se ky ishte trillim i fëmijëve, por shumë shpejt u pa se ishte lajm i vërtetë. Një ditë, Milazimi i thirri kushërinjtë e tij në një drekë. Ata u mblodhën. Dhe, me sytë e tyre panë nusen e re të tij, e cila iu qiti të lanin duart para dreke. H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)

23 orë e 1 minuta më parë
24/04/18