Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm PASI QË U NDAVA NGA AI (6) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm PASI QË U NDAVA NGA AI (6)

Ngjarje e vërtetë: Fillova ta jetoja jetën, vetëm PASI QË U NDAVA NGA AI (6)

Unë isha! Mund ta thosha këtë me zë dhe isha krenare dhe krejtësisht e sigurt në atë që thosha. Kur mendoja pak më mirë, gjatë tërë jetës kisha qenë si ndonjë shenjtore. Kisha pasur një durim të pafundmë. “Më mungon, gjithmonë të kam dashur vetëm ty”, shkruante në mesazhin e parafundit të Saimirit. Zemra më rrihte më shpejt. Sa kohë kishte kaluar prejse ai më kishte thënë “të dua”? Çka kisha ndier në ato momente? Këtë nuk mund ta shpjegoja, gjithçka ishte aq jo e rëndomtë edhe për vetë mua... “Të provojmë sërish të jemi bashkë? Këtë e dua më së shumti në jetë”, thuhej në mesazhin e tij të fundit. Mbeta e befasuar. Nuk kisha pritur që të më lajmërohej Saimiri, e aq më pak me mesazhe kaq të ndjeshme. Nuk dija çka të mendoja rreth kësaj, e as çka t’i përgjigjesha. Arriti pjata ime me makarona dhe me fruta të detit, prandaj vendosa që së pari të ha, e më pas të mendoj. Koka më ishte bërë e madhe nga mendimet. Mundësia që familja jonë sërish të jetë e plotë, më dukej si ide e mirë, sidomos për hatër të fëmijëve. Por, kjo kërkonte që t’ia falja Saimirit tradhtinë, e këtë nuk e dija a do të mund ta bëja. Por, kështu ndoshta do të mund ta shtoja edhe një sakrificë në listën e veprave të mia të mira. A ishte e drejtë që aq shumë ta mundoja veten? Makaronat ishin të mrekullueshëm dhe thash me vete se kurrë me gjasë nuk do të haja ndonjë ushqim të tillë, sikur të mos më kishte tradhtuar burri. Kishte vite të tëra që ai nuk më kishte çuar në ndonjë restorant, prej se ishin rritur fëmijët. Sikur të mos e kisha lënë, tani nuk do të isha këtu, por do të isha duke vdekur nga puna nëpër shtëpi, pa asnjë kënaqësi as financiare, e as morale. Sido që të jetë, jeta pa burrë më ishte më e lehtë. Sikur të mendoja rreth Robertit dhe Editës, më duhej të pranoja se kurrë nuk kishin qenë kaq të vëmendshëm ndaj meje, sikur gjatë kësaj periudhe. Bile ata kishin filluar të ishin të rregullt dhe të mos linin kaos prapa vetes. As ku fakt nuk shkonte në favor të Saimirit. Në anën tjetër, ishte vështirë të harroheshin të gjitha ato vite të jetës së përbashkët dhe e dija se as prindërve të mi nuk iu vinte mirë që ishim ndarë. Me gjasë me kalimin e kohës do të ndalen fjalët dhe do të harrohej tradhtia që ma kishte bërë Saimiri, e për mua do të flitej sikur për “gruan e mjerë, të tradhtuar”, e cila mori vendimin adekuat: që t’ia falte burrit tradhtinë. Por, sikur rolet të kishin qenë të kundërta, sikur unë ta kisha mashtruar Saimirin, jam e bindur se të gjithë do të më kritikonin. Do të isha e damkosur gjatë tërë jetës me emrat më të këqij që mund të merren me mend. E kisha vështirë të haja me shije derisa kisha mendime të këtilla. Vendosa që të mos mendoja rreth Saimirit, meqë kështu as që do të mund të kënaqesha gjatë pushimeve.

- Heej! Kënd po e shoh?! – më befasoi papritmas një zë. E ngrita shikimin. E, kush mund të më njihte në një vend të tillë, të vogël?

- Krenar?! – u befasova. Ishte kolegu i vjetër nga shkolla, që kishte jetuar dikur në lagjen time. Kishte vite që nuk e kisha parë dhe më vinte çudi që e takova këtu.

- Këtu jam me punë, e ti? – më pyeti.

- Unë jam në pushim – i thash. Bile edhe u ndjeva çuditërisht mirë derisa thash ‘në pushim’.

- Sa mirë! Vetëm je?

- Ashtu disi! – thash me gjysmë zëri. Më pas nuk u durova dhe i tregova se isha para shkurorëzimit.

- E kam të qartë – më tha ai.

- Hajde, a do të drekosh me mua? – nuk dita çka t’i thosha tjetër në ato momente.

- Faleminderit – më tha, duke mos pritur t’i bëja rixha. (vijon)

(Kosova Sot)

10 orë e 54 minuta më parë
21/08/18