Ngjarje e vërtetë: PËR TË MË NUK ISHA 'NË MODË (3) - Dashuri - Kosova Sot
Ngjarje e vërtetë:  PËR TË MË NUK ISHA

Ngjarje e vërtetë: PËR TË MË NUK ISHA 'NË MODË (3)

Por, aty mbaronte kujtimi i mirë dhe fillonte ai shqetësuesi, kur përnjëherë tërë kjo nuk ishte e mjaftueshme për të. Përnjëherë u gjetëm në anë të kundërta. - Çka mendon rreth asaj që të jetojmë në banesë? Në jug janë duke ndërtuar banesa të mrekullueshme. Do të mund ta shisnim shtëpinë, të merrnim kredi dhe ta blinim ndonjë banesë moderne dhe të madhe. E shikoja, duke mos mundur t’u besoja veshëve. - Nuk mund ta shes shtëpinë. Ajo është... ajo është... – u shtanga, meqë përnjëherë doja t’i thosha me qindra fjalë dhe arsye, për të cilat nuk mund ta shisja shtëpinë. Për mua ajo nuk ishte vetëm një shtëpi jopraktike, e gurit, por ishte edhe e kaluara ime, rrënjët e mia, simbol i një kohe dhe hapësire. Nuk mund ta këmbeja atë me një banesë, qoftë edhe moderne dhe të madhe. Përfundimisht mblodha fuqinë dhe i thashë: - Ku do të punoj, në banesë, a? Në ndonjë kuti, diku kushedi në cilin kat, pa pamje nga deti, pa kontakt me dheun dhe gurin? Në atë pyetje të shkurtër ia thashë të gjitha. Ajo shtëpi, natyra dhe puna ime ishin një – ishin unë. Por, për herë të parë mungoi dashuria. Sikur ajo të mos ishte “unë”. Më pas e pyeta veten se a kishte mundësi që unë, për Agonin, të isha bërë peshë tepër e rëndë. Dhe, u ndjeva fajtore. Doja ta ndaja me të fajin për tërë atë që na priste. Megjithatë, ende jam për dashuri dhe për të isha në gjendje të bëja gjithçka, bile edhe ta shisja shtëpinë. Për fat, ndërtimi i banesave ngeci për ndonjë arsye, kështu që kërkimi për një banesë tjetër zgjati më shumë. Në ndërkohë, shtëpia u bë atraktive për miqtë e tij të rinj, interesante, e veçantë, prandaj ai e harroi propozimin e tij të vjetër. Agoni kishte shqetësime të reja. Rrobat e reja dhe të ndryshme, një automobil më të mirë, udhëtimet në vendet e largëta ishin dëshirat e tij, të cilat i filloi ngadalë që t’i realizonte. Kur njeriu është i vetmuar, gjithç- ka i bie ndërmend, prandaj edhe Agoni ndonjëherë me krenari fliste rreth gruas së tij të dashur, artiste. Në ato raste kënaqesha me butësinë e fjalëve të tij. Por, kjo ishte atëherë derisa e ndërtonim shtëpinë dhe ëndërronim lindjen e fëmijëve, derisa që të dy ishim në fillim të karrierës dhe kur ai më përcillte në ngjarjet kulturore. Kur filluan që të ndryshonin pikë- pamjet e tij rreth jetës, kjo erdhi duke u zhdukur. Më nuk donte të më paraqiste si artiste dhe grua të dashur, por vetëm si ndonjë pikturë të bukur. E, unë nuk mund të isha një gjë e tillë, prandaj mërzitesha fort. - Nuk jam unë e tillë. Më njeh tash e 17 vjet dhe tani, papritmas, dëshiron që të jem dikush tjetër – i thashë pasi që u shpeshtuan bisedat rreth asaj që ta ndryshoja stilin e flokëve dhe të veshjes. - Shiko rreth vetes! Je ngujuar në atelienë tënde. Duhet të jesh në trend – më thoshte ai. Edhe këtë u përpoqa që ta bëja për hatër të tij, për shkak të trendit, por ato rrobat moderne, sado bukur që dukesha me to, thjesht nuk ishin për mua, meqë nuk ndihesha rehat. Mua më pëlqenin rrobat e mia të vjetra, të rehatshme dhe të gjera. E hekurosjen dhe zgjatjen e kaçurrelave të mia të egra thjesht e konsideroja si mëkat, meqë ky tretman i shkatërronte, ua shkatërronte bukurinë të cilën ma kishte dhuruar natyra. Agonit nuk i pëlqenin as thonjtë e mi. Sipas tij, duhet të bëja manikyr. Duart e mia të bukura dhe gishtat e gjatë ishin vegël pune për mua, ndonjëherë të ngjyrosura me ngjyrat e pikturave të mia, ndonjëherë të lënduara, të djegura, por vegël pa të cilën nuk do të isha ajo që isha. Duart e mia ishin me kallo dhe të forta, sikur fundja edhe tërë trupi im. Dhe, ato më duheshin mu të tilla si ishin. - Dikur m’i merrje duart e mia, i vendosje në duart tua, m’i ngrohje, m’i ledhatoje, m’i laje duart. Çka ka ndryshuar tani? – e pyeta unë, por përgjigje nuk mora. (vijon).

(Kosova Sot)

7 orë e 49 minuta më parë
20/05/18