Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (71) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (71)

Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (71)

Ia filloi të qante në heshtje, pa dënesur. Për herë të parë pas kushedi sa vitesh, shkak i vajit të saj nuk ishte Zorani, por përsëri, në njëfarë mënyre, Hasani. Pasi që ishte ballafaquar me refuzimin e tij që ta pranonte fëmijën që ajo e mbante në bark si të tijin, Marta kishte kaluar net të tëra duke derdhur lot. E kishte pasur shumë të vështirë të pajtohej me fatin se kurrë nuk do të bëhej gruaja e dr Hasanit. Kishte qenë e gatshme të bënte çdo sakrificë për ta arritur këtë. Kishte pranuar edhe të bëhej grua e dytë e tij. Por, kot. Ai as që donte të dëgjonte. Nuk donte ta prishte rehatinë familjare. Edhe pasi ishte martuar me Zoranin dhe kishte shkuar në Nish për të jetuar, për shumë vite, disi në vetvete, Marta kishte shpresuar se Hasani do të interesohej për të dhe do ta kërkonte. Apo, nëse jo atë, atëherë djalin e vet, Denisin. Por, kjo nuk kishte ndodhur kurrë. - Ah, biri im! Si duket të humba edhe ty... ah e mjera unë, e mjera! Po ç'mu desh t'i tregoja?! Ah, gjuha mu thaftë! Ah, bir...

KAPITULLI I NJËZETENËNTË

Sado që ishte munduar ta harronte atë që kishte ndodhur, si dhe pa marrë parasysh sa ishte përpjekur që të sillej sa më mirë, sa më "normalisht" me Sabrinën, prapëseprapë nuk kishte arritur atë raport që kishte pasur me të dikur. Sabrina rrinte e mbyllur, ishte depresive, qante shpesh, kurse për intimitet në shtrat as që bëhej fjalë. Flinin bashkë, por thuajse nuk prekeshin fare. Përpos asaj dite, kur Kujtimi kishte mohuar kategorikisht se kishte pasur ndonjë gjë me dr Valentinën, më nuk e kishin hapur atë temë. Në fakt, as që kishin biseduar më për ndonjë gjë. Kjo situatë ishte duke u bërë gjithnjë e më e padurueshme. Kur ishin fëmijët në shtëpi, situata ishte më e qetë, më e përballueshme edhe pse vërehej shumë qartë se, sidomos vajzat, ishin shumë të vetëdijshme se diçka nuk ishte në rregull me mamin dhe babin. Kujtimit i dhimbsej sidomos Kiki, meqë ajo, si më e madhja që ishte, me gjasë arrinte të kuptonte më mirë seriozitetin e situatës. Të gjitha shpresat Kujtimi i kishte tani te e ëma, e cila pritej të vinte atë ditë me Albanën dhe burrin e saj nga Anglia. Ai shpresonte që e ëma do të bisedonte me Sabrinën si femra me femrën, për ta bindur atë se djali i saj nuk ishte i tillë sikur që dyshonte ajo. Me të dëgjuar meselenë e Sabrinës, zonja Emine menjëherë ishte interesuar që, sa më shpejt, të kthehej në shtëpi. Kujtimi kishte marrë dy javë pushim mjekësor. Edhe pse vet, falë Zotit, ndihej mirë me shëndet, të paktën fizikisht, ai kishte marrë pushim meqë, në atë gjendje që ishte, nuk mund t'i përkushtohej punës me pacientë. Ajo që ishte më keq, pas tri jave e kishte provimin specialistik. Për shkak të situatës së gjithëmbarshme, e kishte anuluar edhe shkuarjen në Seminarin e Salzburgut. Dr Bujari, një doktor i cili ishte koordinator i këtij seminari në Kosovë, e i cili i intervistonte kandidatët, kishte mbetur i habitur nga vendimi i Kujtimit që të mos shkonte. "Sikur ta dije pse nuk shkoj, pa dyshim se do të më kuptoje", kishte dashur t'i thoshte Kujtimi atij, por natyrisht, nuk i kishte thënë gjë. Aty kah ora 4 e pasdites mbërritën zonja Emine dhe Albana. Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)

12 orë e 27 minuta më parë
25/06/18