Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (83)

  • 19 March 2018 - 15:10
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (83)

- Shiko! Unë kam qenë i angazhuar në një ambulantë private në lidhje me certifikatat e patentë shoferëve... - Në ambulancën tuaj, a?

- Jo, në një tjetër... Kujtimi nuk e kishte të qartë si mund të angazhohej diku tjetër, kur ai pasdite punonte në ordinancën e vet. Kishte dëgjuar se disa kolegë të tij merrnin para të majme, thuajse një rrogë të plotë mujore, pa shkuar fare në punë, vetëm duke "huazuar" emrin e tyre, respektivisht faksimilen, për lëshimin e certifikatave të ndryshme mjekësore.

- Shiko, Kujtim! Ne jemi njerëz të rritur dhe ka kohë që njihemi... Kujtimi nuk e dinte se ku donte të dilte dr Flamuri.

- Ti je pa punë dhe, nuk dua të të dekurajoj, por Zoti e di se kur do të ketë konkurs për t'u punësuar në klinikë... Kështu që ti duhet të gjendesh disi...

- Po... Nuk dinte çka të thoshte, donte të priste derisa të përfundonte dr Flamuri. - As ministrisë, e as shtetit nuk i ha palla që ti, baba i tre fëmijëve, ke mbetur rrugëve pa kurrfarë të ardhurash. Edhe pse kjo ishte më se e vërtetë dhe edhe vet Kujtimi ndjente një zemërim të madh ndaj "sistemit" i cili pas tërë atij alamet shkollimi, faktikisht e kishte lënë në rrugë, disi nuk i pëlqeu roli i viktimës, të cilin "ia ndau" dr Flamuri. Kurrë nuk i kishte pëlqyer të ishte viktimë, por të luftonte e të arrinte sukses me fuqitë e veta.

- Është një ambulantë në Gjilan, që merret me lëshimin e certifikatave mjekësore për patentë shofer, por edhe për birësim, për armëmbajtje dhe të tjera. Pronari është një shok imi.

- Në Gjilan? Pak larg... - Nuk ka problem. Ti faktikisht nuk ke nevojë të shkosh... E tëra që duhet të bësh, është që t'ua japësh një kopje të licencës dhe faksimilen tënde. Kujtimi e shikoi me habi. Sikur dr Flamuri t'i kishte propozuar plaçkitjen e ndonjë banke, a dyqani. - E, qysh ashtu?! Pa i parë hiç pacientët, klientët, a? Dr Flamuri e shikoi pak pa thënë gjë. Me gjasë i ra pishman që ia kishte bërë këtë propozim. - Kujtim, mati ti punët tua. Unë të thashë, meqë je i papunë...

- Nuk e di! - Vendos vetë! Por, dije se krejt kështu janë duke ia bërë... Sidomos derisa të gjesh ndonjë gjë tjetër. Kujtimi nuk tha gjë. - Por, do të ishte mirë që të më tregoje sa më parë. Sepse, nëse nuk do ti, ka plot të tjerë të interesuar. Më duhet t'ia gjej atij shokut një psikiatër sa më parë. Iu kujtua oborri i shtëpisë, të cilin nuk kishte çare pa e rregulluar, meqë mjaftonte të binte një shi sado i vogël, e të mos mund të dilje jashtë nga balta. Iu kujtuan edhe faturat e rrymës dhe të ujit, të cilat kishin dy-tre muaj që kishin mbetur pa paguar. Iu kujtua edhe një herë se, po të mos e gjente një punë në ndërkohë, "fondi i emergjencës" do të harxhohej shumë më shpejt sesa që ishte krijuar... - Po... mirë! Pranoj! Iu duk sikur tradhtoi vetveten.

KAPITULLI I TRIDHJETEDYTË

Edhe pse kishin kaluar më se tri javë nga vdekja e së ëmës, respektivisht pak më shumë nga momenti kur kishte marrë vesh se i biri i kujt ishte, Denisit ende i dukej se ishte në ëndërr, në një ëndërr të keqe. Ah, sa do të donte sikur të mund të dilte nga kjo ëndërr, të zgjohej dhe ta merrte vesh se ende e kishte nënën gjallë, se ajo nuk kishte vdekur pa u përshëndetur me të për herë të fundit, se ai nuk ishte i biri i një doktori "shiptar" atje diku, nga Kosova... Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)