Roman dashurie:Si u dashurova në ty (29)

  • 14 October 2018 - 15:49
Roman dashurie:Si u dashurova në ty (29)

E diela ishte me stuhi, kështu që gjatë tërë ditës thuajse qëndruam brenda duke shikuar filma. Shkuam më herët për darkë, në restorantin e vetëm të mirë që gjendej në rrethinë, një lokal italian ku familja Calloway shkonte shpesh, kështu që Kylen e përshëndetën me emër dhe menjëherë ia gjetën një tavolinë, përkundër faktit se kishte shumë klientë që prisnin. Ishte kjo një darkë e mirë, por disi e ngathtë, ku as unë, e as ai, nuk dinim çka të thoshim. E dija se, së shpejti, më duhej ta dërgoja kërkesën zyrtare për regjistrim në Sirakuzë, apo t'ju thosha prindërve që të intervenonin, e të më regjistronin në Stanford, me Kyle-in. Koha ishte duke kaluar. Këtë vendim e kishim shtyrë për një kohë të gjatë, por tani më nuk kishte shtyrje. Ishte muaji gusht dhe universitetet fillonin vitin akademik në shtator. E hapa gojën disa herë që ta nisja këtë temë, por Kyle vazhdimisht ndërronte temë. Rrugës për në shtëpi nuk thamë asgjë. Ai herë-herë më shikonte, duke mos e larguar dorën nga timoni. Se ç'kishte një shprehje të çuditshme në fytyrë. Kur arritëm, u ndalëm për një moment, duke qëndruar në veturë, por pa thënë gjë. Pishat e larta që gjendeshin përreth lëviznin nga era e fortë. Shihja një pishë të vogël, e cila thuajse palosej në dysh nga era e fortë. Nuk e di pse, vetja mu duk në ato momente sikur ajo pishë, e brishtë. Sikur ajo pishë të rrëzohej, do të binte mbi veturën tonë. Kyle më shikoi edhe një herë dhe, përkundër asaj se bënte ftohtë, vërejta se në fytyrën e tij kishte djersë. Dora e tij filloi që ta ledhatonte timonin, një gjest të cilin ai e bënte vetëm kur ishte nervoz. Prisja, duke ditur se do të fliste kur do të ishte gati. Ai më shikoi sërish, mori frymë thellë, dhe hoqi dorën nga xhepi. Zemra filloi të më rrihte fort. O, Zot! Ai do të më propozonte fejesë! Jo, jo! Nuk isha i gatshëm për këtë. Ai e hapi dorën dhe aty, sikur që ma mori mendja, ishte një kuti e zezë, ku shkruante marka "Stolitë Kay". E kafshova buzën, duke tentuar që të mos merrja frymë më shpejt. "Kyle? Unë..." "Nell, të dua"! Dora e tij dridhej derisa e hapte kutinë, ku u pa një unazë diamanti, e thjeshtë, por e bukur. Dhe, frikësuese! "Nuk dua që asnjë moment të rri pa ty. Nuk më intereson as fakulteti, e as futbolli. E tëra që më intereson, je ti. Mund ta planifikojmë të ardhmen së bashku". Ai e nxori unazën nga kutia dhe e mbante para meje, midis gishtit tregues dhe atij të madh. shiu vazhdonte që të binte në xhamin e përparmë të veturës, si dhe era vazhdonte ta mundonte atë pishën e hollë, të gjorë. Pse tani? fillova që ta pyesja veten. Pse këtu? Në veturë, gjatë një mbrëmjeje me shi? Pse jo gjatë darkës në restorant? Pse jo pranë zjarrit, të cilin e ndiznim shpesh në natyrë dhe i cili na pëlqente pa masë. Zemra më rrihte si e marrë në gjoks, kurse sytë sa nuk më dilni nga vendi. Ndjeva dhembjen e buzës dhe shijen e gjakut në gojë. E kisha tepruar me kafshimin e buzës. 

 

(Kosova Sot)