Ngjarje e vërtetë:A ka shpresë për ne? (3)

  • E.K /
  • 10 June 2022 - 15:53
Ngjarje e vërtetë:A ka shpresë për ne? (3)

- E, si mendon se i paguajmë të gjitha ato fatura? - e pyeti, sikur të bëhej fjalë për gjënë më normale në botë. - Met, ne nuk kemi nevojë për ato gjëra! Mund të jetojmë mirë edhe pa gjysmën e tyre - thashë e dëshpëruar. - Unë nuk mund të jetoj në skamje - tha ai, duke buzëqeshur hidhur. - Nëse vazhdon kështu, do t'i humbim të gjitha që i kemi. Edhe vetë e di se bixhozi të qet në të dy gjunjët! - E, çka di ti për bixhozin, pashë Zotin? Edhe ashtu, çdo gjë është duke shkuar mirë - më tha duke më përqeshur. - Të lutem, më trego sinqerisht. A kemi farë borxhesh? - e pyeta me kujdes.

Vetëm atëherë kuptova se sa naive kisha qenë, meqë aspak nuk iu kisha kushtuar vëmendje pagesës së faturave. - Unë përkujdesem për faturat! - thoshte Meti që nga dita e parë e jetës tonë të përbashkët. Disa ditë pas bisedës tonë, mora përgjigjen e dëshiruar, por jo nga Meti. Në derë na trokiti inkasanti i TV-së. Meti nuk gjendej në shtëpi, prandaj mu desh mua që të ballafaqohesha me borxhet. - Vazhdimisht na kthehet vërejtja që ua dërgojmë me postë. Mendonim se mos ishit shpërngulur. Meqë jetoj këtu afër, desha të shikoja se për çka bëhet fjalë - më tha ai njeri, paksa i vjetër. - Nuk kemi marrë kurrfarë vërejtjeje - thashë e hutuar. 

Faturat nuk ishin paguar disa muaj, prandaj doja të shihja për çka bëhet fjalë - përsëriti ai. Habitesha pse kishte ardhur ai njeri. Pse shtëpia TV nuk e kishte ngritur padinë. E, ku kishin shkuar vërejtjet, kjo ishte një enigmë edhe më e madhe. - Po, me të vërtetë është e çuditshme që vini për shkak të faturave të papaguara - thashë paksa me nervozizëm. Në fakt, zemërimin e ndjeja ndaj Metit, por shfryhesha te njeriu i gjorë. Kur e pyeta Metin rreth vërejtjeve, të cilat na kishin ardhur me postë, më tha se ia kishte kthyer dërguesit, po ashtu, me postë. Mbeta më se e tronditur nga veprimet e tij. Në mënyrë ultimative i thashë se do të ndaheshim, nëse menjëherë nuk do të pushonte së luajturi bixhoz, por duket se kjo nuk do të jetë kaq e lehtë. Kjo i ishte bërë sikur njëfarë vartësie e sëmurë, të cilën Meti nuk mund ta largonte.

Krahas kësaj, ai filloi edhe të pinte pa masë, me gjasë kur humbte. Në zemërimin e tij u bë i ashpër dhe i pacipë në sjelljet ndaj meje dhe ndaj vajzave. Jeta jonë, nga përralla më e mirë, u shndërrua në ferr. Meqë nuk mundesha të mos flisja, Meti zemërohej edhe më shumë. Një mbrëmje, derisa ishte i dehur, më goditi. Meqë vija nga një familje ku kishte pasur gjithmonë dhunë, nuk mund të lejoja që edhe vajzat e mia ta përjetonin këtë. Që atë mbrëmje, sapo fjeti Meti, mora thikën dhe ia vura me egërsi nën fyt. Vetëm Zoti i lumi e di pse nuk ia preva fytin. E dija çka do të sillte një veprim i tillë për mua dhe për fëmijët, prandaj me tërë fuqinë që pata u përmbajta, nuk e lëndova, por e tunda me tërë fuqinë, që t'ia nxirrja gjumin. Kur i hapi sytë, më shikoi me kujdes. - Veç edhe një herë më godit para fëmijëve dhe do të të pres në gjumë - iu kërcënova. - Ti qenke çmendur! - më shikoi i tmerruar. - Edhe ti e di çka kam përjetuar duke shikuar babanë duke maltretuar nënën dhe, më beso, fëmijët e mi atë film kurrë nuk do ta shikojnë. - Më fal, pëshpëriti... isha i dehur… - Kështu më nuk shkon: ose do ta lësh bixhozin, ose ne do të ikim. - Nuk është kaq lehtë - tha ai. - Duhet të jetë!

 Nuk kupton! Unë kam sharruar më thellë sesa që mendon ti. Jam në borxh deri në fyt - ma pranoi ai. - Ke marrë para me kredi? - e pyeta, duke mbajtur ende thikën nën fytin e tij. - Jo, kam marrë te fajdexhinjtë dhe kam frikë se jam në rrezik. Kështu që, thika që ma ke vënë nën fyt, nuk është se më frikëson shumë - tha ai, derisa filloi të qante. (vijon)

(Kosova Sot Online)