< Ja si amerikanët ndryshuan planin PËR RRËZIMIN E REGJIMIT TË ENVERIT - Dossier - Kosova Sot
Ja si amerikanėt ndryshuan planin PĖR RRĖZIMIN E REGJIMIT TĖ ENVERIT

Ja si amerikanėt ndryshuan planin PĖR RRĖZIMIN E REGJIMIT TĖ ENVERIT

CIA ZBARDH DETAJET NGA VIZITA E HRUSHOVIT NË SHQIPËRI

Synohej denigrimi i figurës së krerëve të PPSH-së

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe vizitues së Nikita Hrushov në Tiranë më 1959. Përmes një artikulli tregohen planet e tij për të vizituar vendin tonë dhe intinerarin që do ndiqte. Në një tjetër dokument të po këtij viti, CIA tregon se si amerikanët ndryshuan planin për rrëzimin e regjimit. Plani i ri ishte që përmes transmetimeve radio të denigrohej figura e krerëve të partisë
Maj 1959

Vizita e Hrushovi

Radio Moska njoftoi më 20 maj se Hrushovi do të drejtojë një delegacion partiak që do të qëndrojë në Shqipëri nga 25 maji deri në 6 qershor. Vizita, sipas njoftimit, ishte programuar fillimisht për fundin e vitit të shkuar. Asnjë lideri i rangut të afërt me Hrushovin nuk kishte vizituar më parë Shqipërinë. Koha e zgjedhur për vizitën sugjeron se është një tentativë e Hrushovit për të mos i dhënë shumë rëndësi afatit të mëparshëm të 27 majit dhe për të siguruar Perëndimin se BRSS nuk do të marrë hapa unilaterale gjatë negociatave Lindje-Perëndim. Hrushovi mund të përdorë vizitën dhe për të përsëritur sulmet e tij ndaj NATO-s. Atij mund t'i bashkohet dhe kryeministri gjermano-lindor Otto Grotewohl, i cili arriti papritur në Tiranë më 15 maj, për një ndalesë të papërcaktuar. Greqia dhe Turqia, dy aleate të krahut jug-lindor të NATO-s, janë kritikuar kohët e fundit nga Shqipëria dhe Bullgaria për marrëveshjet bilaterale ushtarake me SHBA. Hrushovi mund të bëjë të tjera përcaktime të politikave të bllokut sovjetik kundrejt Jugosllavisë, që është një objektiv i preferuar dhe për regjimin shqiptar. Në rrugën e kthimit Hrushovi mund të vizitojë Bullgarinë, teksa Moska ka njoftuar në mars se një delegacion partiak do të vizitojë Bullgarinë këtë vit. Hrushovi ka thënë gjithashtu se do të merrte pjesë në festimet e 40- vjetorit të themelimit të Partisë Punëtore polake në Varshavë, dhe në pjesën e dytë të qershorit ka në program një turne në Skandinavi që do të vazhdojë deri në fillim të gushtit. Prill 1959 Përmbledhje operacioni OBTEST Ky është një operacioni me program negativ revizionist në Shqipëri, që vepron prej dy vitesh. Përpjekjet e fundit për të vlerësuar efektivitetin e tij teknik, kanë qenë të pasuksesshme, por raportohet se komunistët shqiptarë "liberalë" janë në dijeni të tij. Kemi mësuar gjithashtu se sekretari i Partisë Komuniste Shqiptare Enver Hoxha iu referua programit në fjalimin e tij të 3 marsit 1959 në Asamblenë Popullore. Ne mendojmë se programi po vepron me efektivitet për aq sa e lejojnë rrethanat. Në terma afatgjatë, ne kemi dyshime për rekomandimet e transmetimit të përmbajtjes së njëjtë me atë jugosllave dhe besojmë se tekstet mund të përmirësohen duke zgjeruar linjën tonë të sulmit me përfshirjen e disa argumenteve antikomunsite. Programi klandestin në radio ka nisur në maj 1957 dhe synon anëtarët e nivelit të mesëm të partisë komuniste. Aktualisht po transmetohet nj tekst i ri në çdo pesë ditë, teksa transmetimet zgjasin rreth 220 orë në muaj. Ne mendojmë se ky nivel produksioni është optimal, pasi kemi vetëm një shkrues tekstesh. Përveç folësit dhe shkruesit të tekstit, stafi i programit përfshin një oficer të CIA dhe një oficer rajonal që njeh mirë çështjet shqiptare. Grupi ynë monitoron nga afër transmetimet e Radio Tirana, Radio Beogradi dhe radio Roma, për lajme të përdorshme dhe programe të ardhshme. Zakonisht me marrim informacionet tona për programet nga kërkimet në shtypin shqiptar dhe jugosllav, nga monitorimet e radios dhe nga sugjerimet e selisë sonë kryesore në raportet e përmuajshme. Informacione të tjera të vlefshme vijnë nga marrjet në pyetje të shqiptarëve të emigracionit dhe nga refugjatët shqiptarë për të cilët besojmë se kanë informacione të vlefshme për transmetim.

Pengesat e operacionit

Një nga dy pengesat madhore të operacionit është shfrytëzimi i plotë i linjës revizioniste. Për arsye se shumica e informacioneve të njoftuara është pak e vjetër, ne nuk mund të ngremë argumente efektive mbi ngjarjet e reja në Shqipëri. Prandaj jemi mbështetur më shumë në përsëritje të zhvillimeve negative në Shqipëri duke u përqendruar në "Socializmin Humanist" dhe Socializmin shkencor", dhe jo në argumente ideologjike. Në kemi krijuar gjithashtu fushata për promovimin e ndryshimeve nën pretekstin e revizionizmit, me argumentin se çdo përmirësim është për të mirën e socializmit në Shqipëri. Dy fushata të veçanta me anë të këtij parimi, po përdoren për rehabilitimin e poetit dhe aktivistit kristian Gjergj Fishta, qe ka kryer disa nga shkrimet më të bukura moderne shqiptare (i cili për koinçidencë ishte egërsisht antijugosllav), dhe fushata për ngritjen në OKB të problemit të persekutimit të Kosovarëve në Jugosllavi. Kur ka qenë e mundur operacioni ka tentuar të turpërojë anëtarë të lartë të regjimit, dhe gjatë vitit të fundit ka sulmuar personalisht Beqir Ballukun, Gogo Nushin e Adil Çarçanin. Duke shfrytëzuar linjën revizioniste, operacioni OBTEST ka kaluar në linjën e rrezikshme mes qasjes së thjeshtë anti-regjim dhe quajtjen e tij një ogur për revizionizmin jugosllav. Për këtë të fundit, një nga problemet ka qenë rreziku që ne të konsiderohemi pro-jugosllav nga regjim komunist, si një tentativë për të na diskredituar duke shfrytëzuar frikën e vjetër shqiptare të pushtimit jugosllav.

Zhurmuesit dhe numri i pakët i radiove

Me gjithë faktin se operacionet e monitorimit kanë qenë të paplota dhe me gjithë faktin se në Shqipëri nuk ka më shumë se 25 000 aparate radio që kapin transmetimet në valë të shkurtra, kanë prova se programet dëgjohen dhe ato kanë efektin e tyre. Në një raportim nga selia jonë kryesore thuhej se një komunist shqiptar "liberal" kishte dëgjuar transmetimet por mendonte se programi drejtohej nga një fuqi e huaj. Është për t'u theksuar se që kur Enver Hoxha përmendi transmetimet tona në Asamblenë Popullore, kemi vërejtur një rritje të vogël të zhurmuesve gjatë transmetimeve lokale. Megjithëse çdo hipotezë mbi dy referencat mund të jetë e parakohshme, vërejmë dy aspekte me rëndësi: 1. Dy referencat shqiptare ndaj transmetimit duken kontradiktore, sepse komunisti më i lartë i vendit e sulmon propagandën e programit, kurse një komunist i nivelit të mesëm e refuzon atë si propagandë e vendeve të huaja. 2. Megjithëse Hoxha tha se programi i bën propagandë revizionizmit jugosllav, ai në fakt sulmonte transmetimin që bënte thirrje për më shumë të drejta të shqiptarëve kundrejt Jugosllavisë. Operacioni Në këtë moment nuk kemi në plan ndryshime madhore në operacion, pas komenteve të mësipërme. Kemi ripërshtatur paksa formatin e tij në mënyrë për ta bërë më të qartë për dëgjuesit platformën tonë, dhe jemi duke hetuar mënyra më agresive për të futur programin në brendësi të Shqipërisë. Një nga këto mënyra është transmetimi në valë të afërta dhe ndërhyrja te Radio Shkodra, që kemi nisur prej 3 shkurtit 1959. Në terma afatgjatë, kemi pasur disa rezervime në lidhje me linjën thjesht revizioniste të programit dhe efektivitetin e saj. Qeveria komuniste shqiptare është e varur nga Bashkimi Sovjetik për gjithçka, edhe për menaxhimin e qeverisë, prandaj nuk mund të presim që qeveria të ndryshojë mënyrën e saj të qeverisjes. Secili prej komunistëve ka dyshimet e tij për të ardhmen, ashtu si dhe kolegët e tyre kapitalistë, prandaj mendojmë se operacioni ynë mund t'i shfrytëzojë këto dyshime si për shembull; Çfarë ndodh nëse Hoxha humbet pushtetin? Kush ka të drejtë në debatin me Shehut e Klosit? A do të lejonit dikë si Balluku apo Nushi të jetë eprori juaj? Në të njëjtën mënyrë me mund të sulmojmë paaftësinë e shqiptarëve për problemin e Kosovës, apo ndoshta të vazhdojmë fushatën e rehabilitimit të Gjergj Fishtës.

Përplasja me jugosllavët

Megjithëse ky është në fakt antikomunizëm me emër revizionist, ne mendojmë se operacioni mund të jetë efektiv nëse kemi informacionin e duhur në dispozicion. Gjithashtu ne jemi në favor të përmbajtjes antikomuniste sepse nuk preferojnë të mbajmë në Shqipëri të njëjtën linjë transmetimesh si ato jugosllave. Jugosllavët kanë interesat e tyre në Shqipëri dhe ndoshta kanë burime më të mira informacioni që mund të shfrytëzojnë në tekstet e tyre të propagandës, prandaj ne nuk duhet të jemi një plotësues i propagandës së tyre, sepse revizionizmi ynë është i njëjtë me revizionizmin e tyre, edhe pse ne i sulmojmë here pas here. Opinionet tona në lidhje me operacionet janë thjesht vlerësuese për të ardhmen e programit. Aktualisht mendojmë se operacioni po vepron në maksimumin e tij sipas kushteve të personelit, atyre teknike deh të tjerave në përgjithësi. Pas trajnimit të stafit shtesë besojmë se drejtuesit e rinj do të marrin përgjegjësi për projektin dhe besojmë se do të vazhdojmë t ë punojmë me të njëjtin intensitet. Brenda disa javëve do të dërgojmë kërkesën tonë për rinovimin e projektit edhe për vitin fiskal 1960, me argumentimet kryesore të ruajtjes së programeve në nivelin aktual të transmetimit. Nëse selia kryesore ka komente paraprake në lidhje me planin e rinovimit, do t'i pranojmë me kënaqësi. Mars 1952 Anija Dimitrov e flotës rumune të ngarkesave Sovrontransport, ndaloi në Vlorë, ku shkarkoi 84 arka me mallra farmaceutike dhe 10 persona të kombësisë së panjohur, anija nis lundrimin nga Konstantia në Rumani dhe kaloi në Bosfor më 30 dhjetor 1951. Anija Petrovski e regjistruar me BRSS, gjatë lundrimit nga Murmansk drejt Poti, ndaloi në Durrës mes datave 10 dhe 15 janar 1952 ku shkarkoi sa më poshtë: Dymbëdhjetë tanke të një tipi të ri, që ngjanin me modelin T-34. Tanket nuk kishin shenja dallimi ndërsa topat e tyre ishin ambalazhuar në arka të drunjta. Katër topa të mëdhenj artilerie së bashku me bazat e tyre, që besohet se do të përdoren në instilacionet mbrojtëse bregdetare. Një barkë luftarake me silura që besohet se do të përdoren në patrullimin e ujërave shqiptare. Mes personave që zbritën nga Petrovski ishin të paktën katër sovjetikë. Tanket e sipërpërmendura u lanë në kalatën e portit për një natë deri në mbrëmjen e nesërme, kur u pajisën me personel shqiptar nën drejtimin e specialistëve sovjetikë. Petrovski qëdnroi në portin e Durrësit për tetë orë deri në mbarimin e shkarkimit, pas së cilin raportohet se u largua.

Këmbim të mundshme mallrash mes Çekosllovakisë dhe Shqipërisë

Janar 1950

Raporti i mëposhtëm ka lidhje me këmbimet e mundshme të mallrave mes Shqipërisë deh Çekosllovakisë dhe është marrë në gjuhën angleze. Megjithëse dërguesit nuk njohin origjinën e saktë të dokumentit besohet se është përgatitur në zyrën çekosllovake të ministrisë së tregtisë së jashtme, dhe një sinjal për këtë është emri i përkthyesit O. Cardeë, që shënohet në fund të raportit.
(Kosova Sot)

19 orë e 13 minuta më parë