Zbulohen dokumentet, ja sa duhet të paguaje nëse ishe beqar gjatë sistemit komunist - Dossier - Kosova Sot
Zbulohen dokumentet, ja sa duhet të paguaje nëse ishe beqar gjatë sistemit komunist

Zbulohen dokumentet, ja sa duhet të paguaje nëse ishe beqar gjatë sistemit komunist

TIRANE- Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar një dokument që i përket vitit 1951. Qeveria e asaj kohe ka miratuar një dekret për “Tatimin e beqarëve”. Ligji prekte meshkujt 20-50 vjeç dhe femrat 20-40 vjeç, që ishin beqarë, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë, ndërsa tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti.

“Prej ligjit përjashtoheshin ushtarët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martohen”- thuhej ndër të tjera në dekret.

Postimi i plote:
Beqaria dëmton rëndë xhepin – Dekreti për “Tatimin e beqarëve”, Republika Popullore e Shqipërisë, 1951.

Më 9 shkurt të vitit 1951 Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë miratoi Dekretin nr. 1222 mbi tatimin e beqarëve. Ligji prekte meshkujt 20-50 vjeç dhe femrat 20-40 vjeç, që ishin beqarë, të ve, të shkurorëzuar dhe pa fëmijë. Punëtorët dhe nëpunësit tatohen me 3% mbi të ardhurave, zejtarët, tregtarët dhe profesionistët me 4% mbi të ardhurat, fshatarët me 600 lek në vit dhe të tjerët 200 lek në vit. Tatimi paguhej më 1 korrik dhe 1 dhjetor të çdo viti. Ata që kishin të ardhura të tjera dytësore, tatoheshin edhe mbi ato të ardhura. Prej ligjit përjashtoheshin ushtarët dhe nënoficerët, nxënësit dhe studentët, invalidët e luftës dhe të punës, shtresat me të ardhura të pakta ekonomike dhe klerikët që nuk martohen. Dekreti u hartua duke marrë parasysh nivelin ekonomik të vendit, si dhe i mbështetur në eksperiencën Sovjetike, siç thotë relacioni bashkangjitur dekretit. Ndryshimi me ligjin përkatës të Bashkimit Sovjetik është shuma e tatimit, e cila në Shqipëri është zbritur në shifrën bujare të gjysmës ose pak më shumë se gjysmës së tatimit të BS, nga 6 në 3%.

Di njeri, a është shfuqizuar ky ligj? (Pamjet dokumentare: AQSh. Përgatiti: S.Ç.)

#AQSh
#DPA
#ArkivaTëGjalla
#ArkivatKujtojnë
#KujdesBeqarët

(Kosova Sot)

13 orë e 28 minuta më parë
16/08/18