Dritëroi: Liberalizmi i infektoi nga Moikomi te Petro Marko - Dossier - Kosova Sot
°C
Dritëroi: Liberalizmi i infektoi nga Moikomi te Petro Marko

Dritëroi: Liberalizmi i infektoi nga Moikomi te Petro Marko

Dashnor Kaloçi – Dokumenti që po publikojmë në këtë kapitull të librit është një raport-informacion i kryetarit të Lidhjes dhe Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli, që i është dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së në fillimin e vitit 1974 dhe ai raport është parë nga dy sekretarët e Komitetit Qendror të asaj kohe, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, të cilët kanë vënë firmat përkatëse në fletën e parë, që shoqëron raport-informacionin e Agollit. Ajo që vihet re që në fillim të këtij dokumenti është fakti se raporti në fjalë i është dërguar jo vetëm Ramiz Alisë, sekretarit të Komitetit Qendror që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën e partisë në atë kohë dhe më pas (deri në vitin 1983, kur u emërua edhe si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë në vend të Haxhi Lleshit), por edhe Hysni Kapos, i cili si sekretar i Komitetit Qendror, mbulonte në rrugë partie organet e “Diktaturës së Proletariatit”, siç quheshin në atë kohë, Ministria e Brendshme, Ministra e Mbrojtjes, Sigurimi i Shtetit, Prokuroria, Hetuesia, gjykatat, etj.

E theksuam këtë fakt, pasi siç kemi parë edhe në dokumente të tjera të këtij libri dhe jo vetëm, në praktikën e korrespodencës mbi të cilën funksiononin institucionet artistike dhe kulturore me aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, zakonisht të gjitha dokumentet, me letra, raporte, informacione etj., etj. që kishin lidhje me artin, kulturën dhe propagandën e partisë, i dërgoheshin vetëm sekretarit përkatës, që ishte Ramiz Alia. Dhe me ndonjë përjashtim, ato i dërgoheshin edhe Hysni Kapos dhe kjo gjë ndodhte kur problematika që trajtohej aty ishte “objekt” i organeve të “Diktaturës së Proletariatit”, që i mbulonte Hysni Kapo. Por, siç do të shohim edhe raport-informacionin në fjalë të Dritëro Agollit, nga sa është shkruar aty, nuk ka asgjë që të përbëjë “objekt punë” për Hysni Kapon, madje është krejt e kundërta. Raporti i Agollit në përgjithësi, (ndryshe nga disa raporte të tjera të ashpra të tij, që i përkasin gjithë periudhës së vitit 1973), ky i vitit 1974, më shumë nxjerr anët pozitive të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për krijimtarinë e tyre gjatë vitit 1973 dhe nuk godet apo kritikon asnjeri. Duket se Agolli është treguar shumë dashamirës me kolegët e tij shkrimtarë e artistë, duke e kaluar kritikën vetëm me një pasazh, ku mes të tjerash thuhet se: “Nga liberalizmi u infektuan të gjithë, të vjetër dhe të rinj, nga Moikom Zeqo te Petro Marko”, pra i ka futur të gjithë “në një thes” dhe nuk është marrë me emra të përveçëm, me përjashtim të Petro Markos që përmendet për dy librat e tij, “Një emër në katër rrugë” dhe “Niku i Martin Gjinit”, libra që siç tregojnë dokumente të tjera të këtij libri, ngritën një shtrëngatë të vërtetë ndaj tij dhe i krijuan shumë probleme. Dokumentin në fjalë me raport-informacionin e Agollit, ndryshe nga pjesa më e madhe e dokumenteve të tjera të këtij libri po e botojmë me shumë shkurtime, pasi aty nuk ka emra dhe pjesa e shkurtuar ka më tepër karakter propagandistik.

 

Raporti i Dritëro Agollit

GJENDJA DHE DETYRAT E KRIJIMTARISE LETRARE DHE ARTISTIKE PAS PLENUMIT TE IV TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH

Viti 1973 ka qenë një periudhë e një pune intensive, gjatë së cilës shkrimtarët dhe artistët hynë në një debat të madh ideologjik kundër shfaqjeve të huaja borgjeze dhe revizioniste, në dritën e fjalimeve të shokut Enver dhe Plenumit të IV të Komitetit Qendror të PPSH-së. Gjatë kësaj kohe u dënuan veprimet e gabuara në drejtimin organizativ e ideologjik të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe u nxorën masa për përmirësimin e mëtejshëm të punës. Mes diskutimesh u arrit në një përfundim se duhej përmirësuar puna dhe në trajtimin e disa problemeve kryesore ideo-estetike, të cilat në mjaft raste ishin përzierë, ngatërruar e konfonduar edhe teorikisht, edhe praktikisht.
Shtrembërimet organizative, ideologjike dhe estetike sillnin dëme të mëdha edhe në prishjen e atmosferës, në ndarjen e krijuesve në të rinj dhe në të vjetër, në të talentuar dhe në të patalentuar, në konservatorë dhe në modern. Për të gjitha këto u morën masa të rëndësishme dhe janë bërë përpjekjet për forcimin e unitetit të radhëve të shkrimtarëve dhe artistëve, të cilët bashkërisht të krijojnë vepra të shëndosha.
Për të pasqyruar punën e Lidhjes kohët e fundit, ne menduam të ndaleshim rreth këtyre problemeve: Ç’treguan diskutimet: ç’tregon krijimtaria e botuar dhe e pabotuar: ç’tregon puna për edukimin ideologjik dhe estetik të krijuesve.

Image
Image
Image
Image
Image
Image
Image

 

Ç’TREGUAN DISKUTIMET

Në diskutimet tona pas Plenumit të IV të KQ të PPSH-së u bënë përpjekje që debati ideologjik të orientohej më shumë rreth problemeve specifike të programuara, me një plan pune të caktuar për t’u larguar nga trajtimi i tyre frontalisht, spontanisht dhe në përgjithësi; u kalua nga evidentimi i fenomeneve pozitive dhe negative, në ballafaqimin e kundërvënien e pikëpamjeve, duke argumentuar shkaqet e pasojat, duke nxjerrë përgjegjësinë personale e kolektive ndaj gabimeve dhe duke përcaktuar detyrat e masat konkrete për kapërcimin e tyre. Mes kësaj pune u gjallërua veprimtaria e forumeve udhëheqëse të Lidhjes, e komitetit drejtues dhe e kryesisë. U zhvilluan me sukses plenumet e Lidhjes për çështjet organizative dhe ideologjike dhe për problemet e arteve figurative. U mbajt në një nivel të mirë ideologjik e teorik, Konferenca e Talenteve të reja etj. Në këtë atmosferë u thellua kritika kundër “teorizimeve” të dëmshme pseudoshkencore, frymës denigruese ndaj krijimtarisë së disave dhe mohimit metafizik të vlerave të traditës për hir të një novatorizmi të paqenë, largimeve nga problemet kardinale të jetës së shoqërisë sonë, shtrembërimeve të realitetit, futjes së frymës kapitulante deheroike etj.
Në të gjitha diskutimet, si ato të para Plenumit të IV, e veçanërisht pas tij, shkrimtarët dhe artistët nxorën mësime shumë të dobishme:
E para, u kuptua më mirë dhe më qartë, se përpjekja që bënin armiqtë e partisë në lëmin e artit është të asgjësojnë parimin e partishmërisë proletare dhe ta zëvendësojnë atë me parimin e partishmërisë liberale. Thirrjet dhe ekzaltimet e Fadil Paçramit e Todi Lubonjës për “vepra të guximshme”, “mendim të guximshëm”, “kërkime të guximshme” s’ishin gjë tjetër, veçse nxitje për largim nga partishmëria proletare. Pikërisht ky largim quhej edhe “guxim”.
E dyta, u luftua për formimin e bindjes, se nuk mund të bëhet as letërsi dhe as arti i vërtetë përmes imitimeve të modave të huaja dhe se tolerimet në këtë fushë ishin shprehje e mungesës së theksuar së vigjilencës. Prandaj, edhe në art, si në të gjitha fushat e jetës, vigjilenca duhet të qëndrojë kurdoherë e mprehur.
E treta, u luftua për forcimin e bindjes se letërsia dhe arti ynë nuk mund të krijohen në terren të zbrazët, jashtë frymës kombëtare e socialiste. Novatorizmi nuk mund të lindë jashtë traditës, se vetë tradita e shëndoshë dikur ka qenë novatore. Tradita dhe novatorizmi bashkëjetojnë e ndikojnë tek njëra tjetra, luftojnë në një front: njëra në prapavijë, tjetra në pararojë. Padyshim, mes tyre dialektikisht ka kontradikta të zgjidhshme, por ndonjë person, i ndikuar nga ideologjia borgjeze dhe revizioniste, desh t’ia kundërvinte ato njëra-tjetrës.


E katërta, u luftua për formimin e bindjes se në të gjithë procesin e zhvillimit të letërsisë dhe të artit, kurrë nuk duhet harruar lufta në të dyja krahët: kundër liberalizmit e kundër konservatorizmit. Në diskutime u dënuan mendimet se liberalizmi është vetëm një rrezik potencial. Po u dënua edhe mendimi se nuk ka pasur konservatorizëm në letërsinë dhe artin tonë, se ndikimet liberale i patën vetëm të rinjtë, etj. Faktet treguan se u infektuan shkrimtarë dhe artistë të moshave të ndryshme, të rinj dhe të vjetër, që nga 23- vjeçari Moikom Zeqo e deri tek 61-vjeçari Pero Marko.
E pesta, u luftua për formimin e bindjes, se letërsia dhe arti ynë nuk mund të ecin përpara pa unitetin e forcave krijuese, pa atmosferën e shëndetshme shoqërore në radhët e tyre. Vërshimi i ndikimeve të huaja jo vetëm që e dëmtoi krijimtarinë artistike, po prishi edhe atmosferën krijuese. Prandaj edhe shtypi letrar i Lidhjes është e domosdoshme të përdorë debatin dhe kritikën letrare, jo si mjete për të përçarë forcat krijuese, por për të arritur në konkluzione parimore. Veprimtaria e gjallë që ka filluar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, diskutimet krijuese, seminaret teorike, kritikat e hapura dhe jo prapa krahëve, jeta intensive ideologjike po ndihmojnë në shëndoshjen e atmosferës krijuese në gjirin e artistëve.
E gjashta, u luftua për formimin e bindjes, se partishmëria duhet ruajtur në veprat letrare e artistike, por edhe në drejtimin organizativ dhe ideologjik të Lidhjes. Dhe kjo realizohet nëpërmjet zbatimit me seriozitet të direktivave të partisë, të orientimeve të saj. Gjatë diskutimeve që u bënë, u kërkua me insistim që orientimi dhe direktivat e partisë të ndiqen dhe të zbatohen me disiplinë proletare dhe problemet të rrihen kolegjialisht në forumet drejtuese të Lidhjes.
Në këtë çështje është bërë kthesë, por edhe ka dobësi. Kështu psh., orientimi i partisë është se kalitja ideologjike e shkrimtarëve dhe artistëve nuk bëhet vetëm përmes diskutimeve, por edhe përmes shkuarjes në bazë pranë njerëzve të punës. Masa e shkrimtarëve dhe artistëve tanë e ka të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë për t’i vënë në jetë mësimet e partisë. Një thirrje u bëri partia shkrimtarëve dhe artistëve dhe rreth 90 prej tyre shkuan nga një deri në gjashtë muaj në të gjithë Shqipërinë. Ne si drejtues të Lidhjes duhet të punojmë më mirë për ta orientuar e udhëhequr këtë frymë. Por ne këtë iniciativë e kemi lënë vetëm me kaq, ndofta nga vetëkënaqësia.


Ç’TREGON KRIJIMTARIA E BOTUAR DHE E PABOTUAR?

Provat që kaluam në debatin e madh ideologjik, thellimi i mëtejshëm në mësimet e partisë dhe të shokut Enver, kanë krijuar optimizëm dhe besim tek shkrimtarët dhe artistët për ta çuar letërsinë dhe artin në një stad të ri zhvillimi.
Kur diskutimet morën përjetime të gjera, veçanërisht pas fjalimit të marsit të shokut Enver, u duk sikur situata në krijimtarinë letrare dhe artistike kishte një stepje, një ndrojtje. Por fakti që disa aksione të mëdha artistike të zhvilluara gjatë diskutimeve u realizuan me sukses, tregoi se nuk kishte stepje. Kështu, Dekada e koncerteve të majit, konkursi dhe ekspozita e arteve figurative për nder të 30-vjetorit të themelimit të Ushtrisë Popullore, Festivali i Këngës për Pionierë dhe Fatosa, Festivalet Folklorike, Festivali i 12-të i Këngës në Radio-Televizion, mjaft ekspozita pikture e skulpture personale e kolektive, dëshmojnë për një mobilizim të vërtetë krijues. Gjithashtu, zotimet që kanë marrë shkrimtarët dhe artistët për 30-vjetorin e çlirimit të atdheut na bëjnë të jemi optimistë. Shkrimtarët janë zotuar të shkruajnë 100 romane, 64 vëllime me tregime, 29 novela, 30 vëllime poetike, 19 poema, 8 libra me studime kritike, 8 biografi letrare, 15 skenarë filmash, 11 librete për opera dhe balet, 50 drama, etj. Nga ana tjetër, pjesa dërmuese e kompozitorëve, piktorëve dhe skulptorëve kanë nëpër duar vepra të gjinive të mëdha e të vogla për t’iu përgjigjur Konkursit Kombëtar të 30-vjetorit të çlirimit.
Gjatë kësaj periudhe vërehet një fenomen që të tërheq vëmendjen: në aksionet artistike masive, si Dekada e Majit apo Festivali i 12-të i Këngës në Radio-Televizion, ku ndjehet më shumë fryma dhe nxitja e opinionit shoqëror, marrin pjesë gjerësisht në një kohë të caktuar një numër i madh shkrimtarësh dhe artistësh, kurse në dorëzimin individual të veprave për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ata vonojnë dorëzimin dhe hera herës ka hezitim? Pse ndodh kjo? Mos është stepje? Ne mendojmë se kjo më tepër është një rritje e ndjenjës së përgjegjësisë ndaj asaj që krijohet. Shkrimtarët dhe artistët duan të krijojnë vepra serioze, të pjekura, prandaj i mbajnë nëpër duar për t’i ripunuar me kujdes. Doemos, në këtë kohë të shkurtër duhet të kishte më shumë vjersha, skeçe, tregime, këngë dhe piktura. Por mungesa e romanit është një çështje kohe, pasi në këtë gjini të korrat duken në vjeshtë. Megjithatë, viti 1973, edhe pse ishte një vit i ngarkuar me diskutime e debate, ishte i begatë në krijimtari se sa 1972-shi. Le t’u drejtohemi fakteve. Në vitin 1972, dolën 15 romane, ndërsa në vitin 1973, dolën 19.


Por duhet theksuar, se gjatë vitit 1973, përveç veprave që janë botuar dhe kritikuar për gabime ideologjike, rreth 15 janë kthyer nga shtëpia botuese si të papajtueshme me parimet tona të realizmit socialist. Gabime të tilla janë vënë re edhe në disa drama që kanë shqyrtuar teatrot. Më e keqja është se ndonjë vepër e gabuar ka mundur që të gjejë rrugën e botimit tani pas gjithë këtyre diskutimeve, si romani i Petro Markos, “Një emër në katër rrugë”, e ndonjë tjetër. Të njëjtën gjë mund të themi për botimin e dramës “Niku i Martin Gjinit”, po të këtij autori në revistën “Nëntori”. Edhe Kinostudio përgatiti një film dokumentar “Në shtigjet e revolucionit tekniko shkencor”, me skenar të Vangjush Gambetës dhe Mustafa Fagut, i cili shpifte për socializmin. Këto dhe shfaqje të tjera të këtij karakteri tregojnë se lufta kundër ndikimeve të huaja duhet të jetë e përhershme dhe se bindjet e shëndosha ideo-estetike nuk mund të formohen lehtë. Veçse është e udhës të themi që këto vepra janë shkruar që në vitin 1972 dhe nuk janë krijime të periudhës së pas Plenumit të IV të partisë. Këtu, përveç autorëve, përgjegjësi e rëndë u bie edhe botuesve dhe ekzekutuesve, të cilët edhe pas gjithë këtyre diskutimeve dhe aktiveve të mbajtura nga partia, bëjnë lëshime liberale.
Megjithatë, edhe se nuk ka stepje të përgjithshme, duhet të pranojmë se në disa qarqe të krijuesve ka disa çështje të paqarta. Një nga këto është ajo e pasqyrimit të kontradiktave të jetës. Disa hezitojnë që t’i pasqyrojnë me vërtetësi, i ekzagjerojnë dhe i fryjnë; disa të tjerë për konformizëm ua kalojnë përciptazi dhe i mbulojnë, duke iu trembur ndeshjeve dhe kundërvënieve të anëve pozitive të jetës dhe fenomeneve negative. Nga këtej del problem i tipikes. Një fenomen që është real në jetë, nga disa numërohet si jo tipik: atëherë në kundërvënien e heronjve pozitivë e negativë, lindin plot keqkuptime: ky hero nuk mund të ketë këtë apo atë cilësi pozitive ose negative, se gjoja nuk janë tipike. Veçanërisht keqkuptime ka në satirë. Një pjesë e krijuesve mendojnë se heroi pozitiv në satirë është i domosdoshëm, një pjesë tjetër thonë se nuk është i domosdoshëm, mjafton që vepra të jetë e partishme e të goditë të metat reale, duke i vënë në lojë e duke u tallur me to. Diskutime të tilla bëhen veçanërisht në redaktorët dhe botuesit, të cilët ndonjëherë e keqinterpretojnë heroin negativ dhe ngatërrohen në çështjen e tipikes. Në qarqet e krijuesve ka shqetësime edhe për trajtimin e temës së dashurisë dhe intimes në poezi. Disa krijues dhe botues mendojnë se tema e dashurisë është vogëlimë dhe po të merresh me të, largohemi nga përmbajtja e shëndoshë e artit. Në këtë drejtim ka paqartësi në raportin e intimes dhe shoqërores. Mendojmë se këto çështje të tipikes, heroit, kontradiktës, konfliktit dhe temës së dashurisë duhet të sqarohen mirë dhe drejtë edhe nga Lidhja, edhe nga institucionet.
Ne shprehim bindjen se në sajë të punës, të kalitjes së mëtejshme ideologjike, të angazhimit në jetë, shkrimtarët dhe artistët do të krijojnë vepra të denja. Duke punuar me vullnet dhe besim në forcat e veta dhe në drejtësinë e vijës së partisë e mësimeve të shokut Enver, ata do të vënë talentin e mjeshtërinë e tyre në shërbim të ndërtimit të socializmit.

 

11 orë e 54 minuta më parë
21/08/18