Letra e priftit franceskan, A u dha mbreti Zog italianëve 1 miliard e 800 mijë lira, për ta pushtuar më ’39-ën?!

  • 03 September 2015 - 15:52
Letra e priftit franceskan, A u dha mbreti Zog italianëve 1 miliard e 800 mijë lira, për ta pushtuar më ’39-ën?!

Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”

 Frati pukjan At Paulin Margjokaj i kërkon në këtë letër Mustafa Krujës që t’i zbardhë të vërtetën e gati 2 miliardë lirave që shteti shqiptar mund t’i ketë dhënë Italisë deri në `39-ën, vit që përkon me pushtimin. Mustafa Kruja në përgjigjen e tij e mohon, por gjithashtu lë hapur edhe versionin se kjo shumë mund t’i ketë kaluar nën dorë kontit Ciano. Në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të.

“Letra e fratit pukian e gjeti firmëtarin kruetan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë. Një letërkëmbim 11 vjeçar nga vende e kontinente të ndryshme, gjithmonë duke u bërë më i ngrohtë, më i hapur, mes dy përfaqësuesish brezash të ndryshëm, që i lidhte jo vetëm fati i përbashkët i të mërguarit politik, por edhe dhimbja e përbashkët për fatin e Atdheut, të cilit i kushtojnë frytin e mundit të mendjeve të tyre në studimet e vazhdueshme për historinë e tij”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***

BOLZANO, me 19 Nanduer 1950

I dashtuni Mik,

Pardje e mora letren tande e Të falem nderës per pergjegje të shpejtë.

Sa per 30 frazat shpresoj me T’i nisë të perkthyeme heren tjeter. Po kje se mbeten per Kshndella, mos m’u idhno! Per Kshndella kena mâ se dý javë vakanca e prandej kam nji grimë kohë mâ shum se tash. Kam 16 orë shkollë në javë per të bâ, e prandej nuk gjej kohë me t’i perkthye mejherë frazat e dishrueme. I kam lexue të gjitha e shumica e tyne nuk janë fort të vshtira.

Tash te pvetjet t’ Ua. Pvetjes së parë do t’i pergjegji se ktu nuk kena kurrkend qi din slavishten ase serbishten e vjeter. – 2) Dushmani âsht nji nder bajrakët e vogjel të Dukagjinit, njashtu si thoni ju. 3). Në Shqipnín e Verit âsht nji katund qi quhet Dushi e ky gjindet në Pukë, bile krejt afer katundit an’ e kand të permendun nder 12 bajrakët (gati sa s’ pata thânë 12 pushtetet atlantike), due me thânë afer katundit të Kçirës. Ktij të dytit shpresoj se do t’i a keni ndie zanin që ka herë e tash po gzohem tejet qi po Të bjen rasa me i a ndie zanin edhe katundit të Dushit, qi âsht po i permendun nmos mâ fort se Kçira, gjithnji njaq sa Kçira me doemos!!

Pvetjet e mija kso heret janë kto : Mâ parë e mâ dalë do të më tfilloni se shka mendoni Ju per “gjakun” (vendetta ase Blutrache, si po na i thonë kta të huejt). Po t’u vête nji i huej e me të shá tue të permendun punen e gjakut në Shqypní, shka kishi e si kishi me i pergjegjë Ju atij? Prá më pergjegjni mue njata shka kishi me i thânë nji të huejit.

E dyta pvetje âsht kjo: a âsht e vertetë se qeverija shqiptare i pat premtue ase dhânë 1000 napoljona Sufflayt per me vijue e plotsue shi vepren e vet qi Ju e keni citue në nr. 25 të frazave latine tueja? Pat kenë thânë – më bjen nder mend – se shi para se t’ a mbytshin serbët me sakica, i pat marrë Sufflay kta 1000 napoljona prej qeverís shqyptare.

E treta pvetje âsht edhe kjo punë paresh. A âsht e vertetë se Italija deri në vjeten 1939 i pat dhânë uhá Shqypnís mâ se 1 miljard e 800 miljon lire italjane? Më si më bjen nder mend mue, në nji fjalim qi pat mbajtë Ciano në Kameren e at hershme italjane në 1939, pat deklarue ket shumë, qi Italija po i paska dorzue Shqypnís nder kto 15 vjetët qi marojn me 1939. Kjo shumë, kuptohet me doemos, me vleren qi ka pasë Lira në vjeten 1939 e jo me vleren e sotshme. Mue më duket se me 1 Miljard e 800 miljon Lire me vleren e para 1939 do të kishte mujtë m’u ba shum mâ teper se kje ba deri në vjeten 1939.

Nji gja e ré në punen e të shkuemit t’em n’Austrí. Auktoritet austrijake më kanë deklarue se nuk m’apin kurrsesi mâ teper se dy muej ndalim n’Austrí. Arsyen m’a thanë krejt nder sy pa marre aspak: kanë të huej mjaft e nuk duen qi prap kta të shtohen, tue kenë se të huejt rifugjat jetojn në shpinë të shtetit austrijak. Âsht e dijtun se po pat njeri me pague ndalimin, d.mth. jetesen n’ Austrí, at herë s’ kishin me pasë kurrgjâ kundra. Por letra maroi e prandej po i ap fund me shndete të perzemerta.

Miku yt

P. Margjokaj

Ramleh (Aleksandrí), 20. 12. 1950

I dashuni Atë,

Nuk do të kishem pritun qi t’a bashkoj me urimet e mija për Kërshëndella përgjegjen e letrës s’Ate qi shi dje u mbush mueji qyshse m’a ke shkrue. Por kjo kishte nji pyetje cifrash, së cilës un s’ ishem në gjêndje me i u përgjegjun me përpikní pa bâmë do hetime. Nuk duel gjâ si dishrojshem un as prej këtyne hetimeve, por desha të bâj detyrën t’eme, qi m’ u duk mâ e rândsishme se nji përgjegje e shpejtë.

Sido qoftë, pra, po nis me urimet si për Kërshëndella ashtu edhe për mbarimin e 1950-s qi theu qafën pa na sjellë ndonji të mirë, posë me na lânë gjallë e me ngale, siç shprehen Mirditasit, madje me brengë e me gazepe, e për tjetrën qi po vjen, tue i u lutun të Madhit Zot qi të na bjerë ndonji rreze drite shpëtimtare, jo atê të bombës atomike, ndonse edhe kjo ndoshta âsht bâmë e nevojshme për njerzín e soçme si përmbytja universale për atê t’atëhershmen. Por tue i lânë mbë nj’anë njerzí, atdhé, familje e dashamirë përgjithsisht, nga të cilët shpirt’i ynë s’mund të dahet, po T’uroj me rasën e këtyne dý festave gjân mâ modeste qi Të dishroj: shëndet, jetë e durim.

Të falem nderës për Dushin e qysh tash edhe për përkthimet.

Çashtj’ e gjakut kujtoj qi mund të zhvillohet disi kështu si mâ poshtë:

Pikë së pari gjakun po e përgjithsojmë e po e bâjmë shpagim. Shpagimi, pra, ka në themel drejtsín, e prandej nuk mund të spjegohet pa pasë tfillue mâ parë këtê. Ç’quen njerzija drejtsí? Shpërblimin e drejtë, adekvat të së mirës a të së keqes qi i bân individi ase Shoqnija individit. Drejtsín, shi kështu dý anësh, si për veprën e mirë ashtu edhe për të keqen, e ka vûmë Zoti vetë, edhe njeriu e ka ndie, kuptue e quejtun si të parin gur themeli të nji jete shoqnore. Zoti na ka premtue për atë jetë shpërblimin e të miravet qi bâjmë në këtê e na ka diftue ndeshkimin për të ligat. Ligjët e çdo Shteti e të çdo Shoqnije, s’ka rândësí a janë ligjë të shkrueme apo zakone shekullore, e deri rregulloret e shkollavet kanë bâmë e bâjnë gjithashtu për këtë jetë. Pra ku s’ka drejtsí s’ka Zot, s’ka jetë shoqnore.

Ndërsa parimin e drejtsís s’ka bir robi në botë qi t’a mohojë e qi, kur kjo s’i bie krés së vet, mos t’a dishrojë e mos t’a kërkojë me kâmbëngulje e me zâ të naltë, t’u folmen për shpagim, qi s’âsht tjetër veçsë nji formë primitive, nji formë e pagdhêndun, e palimueme e drejtsís. Ndër shoqnít qi e kanë kapërcye kamot atë fazë drejtsije, kërset shkandulli. S’ka dyshim qi shpagimi âsht nji formë e drejtsís. Në mos u gabofsha, proverbi “sŷ për sŷ e dhâmb për dhâmb” âsht i Biblës, âsht ligja e talio- s (taglione) , qi Korani e ka sankcjonue me versetin e famshëm lakonik “Në talio ka jetë”. Ungjilli âsht ngjitun ndër sferat sublime t’idealit hyjnuer tue na urdhnue ndjesën e Krishna don qi jo vetëm t’a falim atê qi na bân nji të keqe, por edhe t’i dishrojmë, t’i urojmë e t’i bâjmë të mira. Po a ka vallë në botën t’onë e sa janë ksi njerzish?

S’ka dyshim, thashë, qi shpagimi âsht nji formë drejtsije, por nji drejtsije primitive. E gjaku âsht shpagimi mâ mizori. Ka të drejtë, pra, njeriu i qytetnuem të shkandullohet për këtë formë drejtsije barbare, por vetëm duhet t’a kuptojë qi âsht nji formë drejtsije e t’a kritikojë pse âsht barbare. Dhuna duhet shpague, sikur ndera duhet shpërblye: kjo âsht nji drejtsí, por edhe drejtsija, si thashë, duhet të jetë e drejtë, duhet të jetë adekvate me veprën e me nji shumicë të madhe rrethanash e shkaqesh ambjentore e psikologjike. Ligja e gjakut (nuk jam tue bâ dallim ndërmjet ligjës e zakonit) âsht barbare, sepse nuk merr para sysh ato rrethana e shkaqe. Ajo thotë: A të vrau? Vraje! Giustizia sommaria. Nuk pyet as pse as si të vrau. Në Shqipní ka burra të mirë, burra të fortë qi falin vrasën qi bâhet pa hír, kur u mbushet mêndja se âsht kështu me të vërtetë. Por thashë e falin, e âsht burrnij’ e tyne qi e fal, jo ligja. Kjo e mallkueme urdhnon, p.sh., qi shputa ( e cila âsht nji faj ) lahet me gjak. Të rá kush shputë? Duhet të vrasish a të varrojsh, me nji fjalë të derdhsh gjak për me e lamë atë marre qi psove, ndryshe jet me tê faqe gjithë shoqnís! Por a vrave për faj, për nji turpe? Rae në gjak, se marrja lahet me gjak, por gjaku për faj s’ jet pa marrë. Pra pikë mâ së pari vetë ligj’ e gjakut – ndër ne, se ngjeti nëpër botën primitve nuk dij si âsht – do të cilsohet patjetër e me të drejtë barbare. E makar t’ishte barbare vetëm për kaqë.

Por jo, ti ke të drejtë me e marrë gjakun jo vetëm prej dorasit, por prej gjithë burrave të tymit të tij! Këta mund të jenë gishtarë (complici) me tê, por mundet edhe qi mos të jenë aspak. P.sh. u zunë dy barij në mal e u vranë. Shpagim’i gjakut âsht drejtsí direkte, personale, pra barbare edhe mënyr’e ushtrimit të saj. Prandej zakoni e ka bâmë aqë të thjeshtë e kështu aqë t’egër sa mund t’a kuptojë nji mende primitive. Âsht ligj’e fisevet, e nji jete shoqnore primitive, e krijueme prej natyrës primitive të njeriut e prej nevojës së tij për vetproje. I egër e egoist njeriu i natyrës, pa nji fé të vërtetë, pa nji organizim shoqnuer të pështetun mbi parime morale, kur mujte me besue në nji forcë individuale qi i a kalonte nji tjetri, e merrte këtê nëpër kâmbë, i vetmi frê për tê ishte forca e kundërt individuale. Këndej leu ligja e shpagimit, pra edhe e gjakut. Kjo gjêndje vazhdoi mija vjeç, deri qi fét e vërteta a së paku të pështetuna mbi baza morale lenë e bânë efektin e vet mbi natyrën barbare e egoiste të njeriut primitiv, deri qi u krijuen pushtete t’organizueme mirë me ligjë të përshtaçme e të forta sa me i frymzue individit mâ të dobët kundra atij mâ të fortit sigurín e jetës, të pasës e të nderës së vet, sa me i vûmë fré instinktit primitiv e egoist t’atij mâ të fortit. Vetëm atëherë leu e u zhvillue dalkadalë deri diku nji ndërgjegje morale e shoqnore ke njeriu bashkë me idén e sigurís e me besimin në nji drejtsí kolektive. Por me gjithë këtê, mijvjett e përparshme kishin lânë gjurma aqë të thella, qi instinkt’i shpagimit shfaqet me të tânë furín e vet deri ndër popuj me nji qytetnim mijvjeçarë porsa të mungojë nji pushtet i fortë për t’i vûmë frê.

Të vijmë tash drejtpërdrejt ke populli shqiptar. Ilirët deri në pushtimin e Romakvet nuk qênë tjetër veçse fise pagane me nji besim qi s’kishte asnji bazë morale e me nji organizim shoqnuer primitiv. Romakët e sunduen Ilirín gati vetëm me qëllime ushtarake, nuk çanë kryet aspak me shtrí e zbatue në tê ligjët e tyne. Ilirët ishin të kënaqun deri sa Roma s’u prekte në zakonet e tyne barbare edhe kjo e kënaqun deri sa kishte udhlidhjet e veta të sigurta. Feja e krishtenë hŷni shpejt, qyshë në të parin shekull, ndër të parët t’anë. Por nuk gjet nji truell të volitshëm për nji efekt të shpejtë e sidomos të thellë. Ilirët u bânë të krishtênë vetëm në sipërfaqe, edhe ata qi u bânë, e në shpirt mbetën po ata qi ishin, paganë. Mbrapa erdh shqizma e Shqipnija u ndodh shi në kufî të Okcidentit e t’Orjentit ku s’prâni lufta fetare ndërmjet këtyne dyve deri në ditën qi i a mbërrini Tyrku me nji fé tjetër. Kështu qi ndërgjegja fetare e popullit t’onë, pa qênë formue ende mirë, u pështjellue e u bâ lamsh. Anarqija morale vazhdoi e nji pushtet i fortë s’u themelue kurrë në vêndin t’onë. Prandej zakonet e vjetra, me të mirat e të këqijat bashkë, mbetën gjallë. Ndër ta edhe ndiesija e shpagimit të gjakut. I quejmë këto zakone Kanun’ i Lekë Dukagjinit, kurse në të vërtetë janë zakone qi e kanë rrânjën kush e di sa mijë vjet para Lekë Dukagjinit. Ndoshta ky mund të ketë bâ ndonji reformë të lehtë në ta, sikurse shihet në disa ndryshime të vogla ndërmjet zonës ku ka sundue ai e ngjeti, ku përmêndet nji Kanun i Skanderbegut, nën lumin e Matës p.sh. Aleksandr’ i Madh, nuk mbaj mênd se në ç’farë rase, paskish pasë thânë nji herë se ai Maqedonas qi s’kishte qênë i zoti me marrë gjakun ishte i detyruem me dalë në shoqní me nji konop të lidhun për brez! Krahasonje këtë zakon me atë t’onin në të njâjtën rasë qi ka vazhdue deri dje…

Gjakmarrja sod vazhdon edhe ndër popuj tjerë, ndër të cilët deri ndër Korsikasit qi kanë pamë e gzuem qytetnime shumë mâ të nalta e mâ të gjata se populli shqiptar, pa folë për popuj tjerë qi gjinden ende në stadën e fiseve si na.

Qe pra, lum miku, shkurt, un tue folë për këtë problemë si gjyqtar moral e objektiv, nuk dij ç’i thom tjetër as Shqiptarit as të huejit, as mikut as anmikut. Se deri ku kam mujtun me i a ngjitun shênjit gjykoje ti vetë.

Ai libri me titullin latinisht qi Të kam çue me përkthye më duket se thotë bash aty qi ka qênë botue qyshë në 1913. Pra Šufflayi, në pastë pasë marrë pare prej qeverís shqiptare nën okupatën gjermane për të botue gjâ mbi Shqipnín, duhet të ketë qênë nji tjetër libër, ndoshta nji historí qi shkruen vetë diku se e kishte në dorë qyshë në 1916 e qi nuk më resulton t’a ketë pasë botue. Kur të më bjerë rasa me u tokue me ndonji mis t’asaj qeverije kam për t’a pyetun e tash Të shkruej.

Sa për miliardat e Cianos, për të cilët bâna hetime, po të diftoj qi Shteti Shqiptar nuk resulton të ketë marrë tjetër hua nga Italija posë asaj qi dihet për 50 miljon frang ar. Shqipnija s’e ka pague kurrë kamatën e ksaj shume e pra kapitalit i âsht shtue edhe kjo. Sido qoftë mundet qi Ciano ka shtue edhe shuma tjera qi ndoshta janë dhânë kund nën dorë e tjera qi kanë hângër vetë Italjanët në rasa t’atila; por edhe bashkë me të tâna këto shtesa eventuale, prap se prap gjith’ata miljarda më duken tepër të fryem. Në fund të fundit kjo âsht një bisedë thjesht kureshtet tashmâ, mbasi Italija me traktatin e paqës qi ka nënshkrue me ish anmiqt e vet, jo veç qi ka hjekun dorë prej çdo të drejte nga Shteti shqiptar, por âsht detyrue me i pague këtij edhe pesë miljon dollarë USA. E me këtë borxh t’Italís nuk dij çka âsht bâmë deri tash.

Udhtim’i Yt n’Austrí, pra paska mbetun. Mâ për hajr! E s’po më vjen aqë keq. A je i zoti me i gjetun shteg vetit kund në botën e re, kudo qi të jetë, mbasi s’janë kohna me u hudhun kah Lindja, por sa mâ larg kah Perëndimi, me gjithë qi, e drejta, me të tâna rêtë e zeza qi shihen, barometra e ime nuk sheh shi të shpejtë.

E me kaq po i apim fund. Përsris urimet e shëndetet e mija vllaznore.

MKruja

S. Kam nji ves të keq e po t’a diftoj: letrat e mija, sidomos kur janë të gjata si kjo, s’e kam zakon me i lexue veçse tepër rrallë. Pra kudo qi të hasish në shqepa mos u vê roe, por qyr vetëm me kuptue se ç’due me thânë.

          M.K.