Kohë monstrumësh

  • 24 July 2016 - 18:38
Kohë monstrumësh

Republika jonë sot është në ditë zie, pas humbjes së jetës në ngjarjen tragjike të Munihut të tre personave nga Kosova, që u gjendën në mesin e viktimave të shkaktuara nga një 18- vjeçar iraniano-gjerman, i cili, sipas policisë gjermane, rezulton të jetë një person me problem psikike. Bota sot është bërë më e pasigurt se kurrë dhe askush nuk mund ta dijë se çka e pret kur del në Aeroport, kur shkon në metro, është në pushime, del për shoping, apo takon miqtë. Individë të krisur dhe ekstremistë, grupe terroriste dhe organizata radikale, janë bërë burim frike dhe paniku për njerëzimin. Kjo e keqe po shtrin rrënjët ngado dhe nuk po kursen askënd. Sado të kesh kujdes, një bombe që e shpërthen një terrorist nuk mund t'i shpëtosh, të shtënave të një të çmenduri nuk mund t'u shmangesh. Vetëm fati mund të të ndihmojë në raste të tilla. Dhimbja dhe ngushëllimi, solidariteti dhe forca, duhet të na bëjë bashkë me të afërmit e atyre që e kanë pësuar. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për t'u ndier më të sigurt, për të bërë gjithçka që fëmijët tanë të mos frikësohen nga asgjë. Prandaj, do të duhej që sa më seriozisht t'i kthehemi kësaj teme, që bijtë e bijat tona të edukohen mirë, të kenë moral të fortë dhe të mos bien pre e ideologjive të mbrapshta, e propagandave radikale. Kjo ligësi njerëzore duhet të marrë fund dhe e mira sigurisht do të triumfojë. Por, duhet shumë punë që të pastrojmë radhët nga fara e keqe, që po mbin në çdo anë, në çdo cep, edhe aty ku nuk e pret. Ta marrim pra më seriozisht këtë seri vrasjesh monstruoze, që nuk fal askënd. Fatmirësisht në vendin tonë, nuk ka akte të tilla, por sa lehtë përgatitet terreni dhe frymëzohen autorët monstruozë të krimeve të tilla të urryera. Le të bëhemi më vigjilentë për hir të fëmijëve tanë…

(Kosova Sot)