Editoriali:Ndëshkim për abuzuesit e pushtetit

  • 27 August 2016 - 16:57
Editoriali:Ndëshkim për abuzuesit e pushtetit

Presioni i madh publik e detyroi më në fund Prokurorinë e Shtetit të iniciojë hetimet për skandalin"Pronto", ku përmes përgjimeve telefonike është zbardhur ndikimi i madh i PDK-së dhe oligarkëve të saj, në emërimet e ndryshme, vendimet që janë marrë, pavarësisht shkeljeve flagrante dhe diskriminimit skandaloz të shumë aplikantëve. Përgjimet telefonike kanë përforcuar bindjen e mëparshme se si funksionon modeli i punësimeve nepotike dhe politike, pa kritere dhe në kundërshtim me ligjin, por jo vetëm këto. Dialogët kriminalë të protagonistëve, tashmë të zhveshur politikë, tregojnë se kush na ka qeverisur për tërë këto vite dhe sa e papërgjegjshme është kjo klasë aktuale partiake në pushtet. Publiku po e dëgjon me veshët e tij se qëllimi i vetëm i pushtetit të inkriminuar është shfrytëzimi i çdo mënyre, mjeti, individi, partie, OJQ-je, biznesi, për të forcuar pushtetin. Me vjedhje apo blerje votash, me klientelizëm apo punësime familjare, me premtime mashtruese apo pabesi politike, sundimtarët e Kosovës nuk kanë përjashtuar asnjë formë që të rrinë me çdo kusht në karriget e nxehta të pushtetit. Kësisoj, ata kanë shtrirë thellë rrënjët e së keqes, e kanë përhapur ligësinë e tyre në qarqe akademike, intelektuale, në mesin e profesorëve, doktorëve, artistëve, sportistëve.

Pa e hequr këtë ligësi të paparë, ky vend nuk mund të ecë përpara. Sa më shpejt të lirohemi prej pashallarëve tanë modernë, aq më e fortë do të jetë shpresa për ndryshim. Grabovcët me shokë e meritojnë ndëshkimin nga drejtësia dhe vetëm ndëshkimi krijon modelin e duhur, shembullin e pritur që të tjerët të nxjerrin mësim. Ndëshkimi duhet të përfshijë secilin zyrtar të inkriminuar, pavarësisht shërbimeve që i ka bërë partisë, shërbimeve sekrete, grupeve kriminale, etj. Shoqëria dhe politika e shëndoshë duhet të bëjnë presion që të krijohet një realitet i ri, një alternativë dalëse nga qorrsokaku ku e ka futur vendin politika bashibozuke e pasluftës.

(Kosova Sot)