Editoriali: Oligarkët e politikës, bosat e biznesit

  • 25 March 2017 - 17:09
Editoriali: Oligarkët e politikës, bosat e biznesit

Faktet janë fakte, dhe të vërtetës nuk mund t'i shmanget askush, përfshirë Qeverinë aktuale, që po përpiqet t'ia mbushë mendjen publikut kosovar se është duke bërë reforma në ekonomi dhe po hap një perspektivë shpresëdhënëse. Ilustrimi më i freskët, i regresit ekonomik, mund të gjendet lehtë në raportin e radhës për tregtinë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, një organizëm shtetëror, të cilit, të paktën, vetë shteti duhet t'i besojë. Shkurti i këtij viti, krahasuar me këtë vit, dëshmon se ka një rritje të deficitit tregtar. Eksporti ka shënuar rënie, ndërsa importi rritje. Trendi i tregtisë tregon se Kosova mbetet një vend i varur nga importi, ndërsa fuqia prodhuese është fare e vogël.

Lejimi i monopoleve, klientelizmi, sundimi i mafisë biznesore të lidhur me politikën kriminale, e ka bllokuar vendin. Sipërmarrja private, po përjeton ditë të vështira dhe masat që ka ndërmarrë deri tash Qeveria, janë tepër modeste e të papërfillshme, krahasuar me nevojat, sidomos të prodhuesve kosovarë. Interesat e oligarkëve nuk janë për t'i ardhur në ndihmë biznesit, që prodhon, por për të përfituar sa më tepër dhe sa më shpejt nga ato biznese që u sjellin fitime të menjëhershme. Kosova me këtë politikë ekonomike që po ndjek dhe me këtë situatë konfliktuale që na shoqëron, sidomos prej dy vjetësh, nuk është aspak tërheqëse për investitorët e huaj.

Telashet me çështjet pronësore, sundimi i dobët i ligjit, burimet e pakta financiare, vështirësojnë investimet e sipërmarrjes kosovare. Nga ana tjetër, politizimi i biznesit e ka vështirësuar edhe më shumë të bërit biznes. Nëse nuk ke lidhje me pushtetin, je gjithnjë në shënjestër. Pra, në këto rrethana, ku oligarkët e politikës janë shndërruar në bosat e biznesit, çfarë mund t'u mbetet atyre që një jetë e kanë çuar në biznes, me përkushtimin dhe kapitalin e tyre?! Pa e dekriminalizuar biznesin dhe pa e hapur tregun, sipas ligjit dhe Kushtetutës, është e zorshme që ekonomia kosovare të përparojë. Thellimi i deficitit tregtar dëshmon se edhe sivjet jemi në rënie. 

(Kosova Sot)