Editoriali: Lexojeni drejt raportin e BB-së

  • 01 November 2017 - 17:03
Editoriali: Lexojeni drejt raportin e BB-së

Qeveria ka nxituar të mburret me raportin e radhës të Bankës Botërore të të bërit biznes, që e rendit vendin tonë në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin më të madh në reforma. Për herë të parë, këtë vit Kosova radhitet në pozitën e 40-të, nga 190 vende, sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60- të, ku ka qenë vitin e kaluar. Sigurisht, merita për këtë rangim nuk i takon këtij ekzekutivi, që sapo ka mbushur një muaj nga formimi i tij, por ndërlidhet me punën e qeverisë së mëhershme. Megjithatë, shifrat duhet të lexohen drejt, sepse çdo biznes dhe qytetar është i vetëdijshëm për nivelin ekonomik në Kosovë. Nëse në disa aspekte formale ka përmirësim, kjo nuk do të thotë se jemi tashmë "parajsa" për investitorët. Përndryshe nuk ka se si shpjegohet rënia e vazhdueshme e investimeve të huaja, largimi i investitorëve seriozë, problemet e theksuara në mbarëvajtjen e një biznesi etj. Kosova mund të radhitet e dhjeta në krijimin e një biznesi apo e 12-ta në marrjen e kredisë, por është e 122-ta në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat dhe e 106-ta në furnizimin me energji elektrike. Reformat që ndërmerren dhe rregullativat ligjore që aplikohen janë të pamjaftueshme nëse nuk përcillet me zbatimin e rreptë të ligjit. Pa sundim ligji, është e qartë se nuk do të kemi rritje të produktivitetit të sipërmarrjes vendore, veçmas asaj prodhuese, apo tërheqjen e investimeve të jashtme direkte. Për shkak të qeverisjes korruptive në nivelin komunal e qendror, sot është një kalvar i vërtetë të marrësh një leje ndërtimi, për shembull, çka demotivon plot investitorë të mëdhenj, që sjellin miliona, hapin mijëra vende të reja pune dhe ndikojnë kështu në rritjen ekonomike. Rasti me Prishtinën, ku dyshohet se kryetari aktual, që kandidon për një mandat të dytë, është i përfshirë në afera korruptive dhe lidhje me mafio-bizneset, është ilustrimi më i mirë i këtij rangimi të dobët në dhënien e lejeve të ndërtimit.

(Kosova Sot)