Editoriali: Devolli synon rrëzimin e Kurtit, me klanin e Jahtit - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Devolli synon rrëzimin e Kurtit, me klanin e Jahtit

Editoriali: Devolli synon rrëzimin e Kurtit, me klanin e Jahtit

Derisa erdhën në pushtet, për Lëvizjen "Vetëvendosje!" kishte një simpati dhe përkrahje për shkak të vendosmërisë publike kundër të këqijave që kishin shtrirë rrënjët thellë në institucionet tona shtetërore, por edhe kishin infektuar edhe sferat e tjera, biznesin, individin, shoqërinë. Me marrjen e qeverisjes së kryeqytetit, dalëngadalë, qytetarët, por edhe ata më besnikët ndaj partisë së Albin Kurtit, filluan ta ndjejnë zhgënjimin e madh nga mashtrimi. Humbja e njëqind mijë votave brenda pak muajsh, nga zgjedhjet e qershorit në ato të tetorit, dëshmoi se populli më nuk po hante bar. Sidomos që nga skandali i jahtit, ku u zbuluan lidhjet mafiooligarke të Shpend Ahmetit me Devollët e inkriminuar. Publikimi i mesazheve inkriminuese në mediet kosovare, ku deputetja Aida Dërguti shprehet në mënyrë fyese ndaj liderit faktik të VV-së, Albin Kurti, e ka hapur kutinë e Pandorës edhe për këtë subjekt, që si të gjitha partitë e tjera, ka filluar të bëjë gjithfarë pazaresh të pista e kriminale vetëm e vetëm që të qëndrojë në pushtet. Rasti me Prishtinën, ku VV-ja u zhyt në biznese të pista, duke bllokuar investitorët seriozë e duke favorizuar klientelën e vet, është ilustrimi më i mirë për degradimin e Lëvizjes. Kurti, si një idealist, mund të jetë pengesë për klanin e Shpend Ahmetit, të cilit ia mbush gushën korporata "Devolli" e ledhatuar nga pushteti në kryeqytet. Disa nga njerëzit e pushtetshëm në VV po tregojnë se mund të jenë më të këqij se këta të deritashmit të klanit "Pronto",bile edhe më të korruptuar. Oligarkët Devolli, me gjasë, po i fryjnë zjarrit brenda kësaj partie, të frikësuar se mund të humbasin projektet kriminale dhe zhvatëse prej qindra- milionëshe në Prishtinë. Skandali i VV-së po na bind se edhe kjo parti, për fat të keq, mund të përfundojë në batakun e të tjerave. Të gjitha janë bërë pjesë e një thesi të madh e të pistë, të korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj si të tilla do ta lënë në varfëri Republikën e Kosovës, për sa kohë nuk do të ketë alternativa të tjera te reja.

(Kosova Sot)

18 orë e 27 minuta më parë
20/10/18