Editoriali: Njëqind ditësh për t'u harruar!

  • 19 December 2017 - 16:54
Editoriali: Njëqind ditësh për t'u harruar!

Nëse për këto njëqind ditë të para të Qeverisë mund të jetë vërejtur një dinamikë e re, e vërteta është se nuk shihet asnjë shenjë reforme në vend, në asnjë sektor të vetëm. Dinamizimi dhe efikasiteti nuk varen nga sasia e takimeve në Qeveri, ku më nuk merret vesh a janë private, partiake, joformale apo zyrtare. Dobia dhe përparimi nuk vijnë duke marrë vendime të ngutshme, as duke ndjekur manovra populiste. Në temat e mëdha nuk ka kurrfarë lëvizjeje përpara. Demarkacioni me Malin e Zi është rikthyer në pikën zero, aty ku ka qenë, ndërsa ky vit, edhe pse premtimet e pushtetit ishin se do të marrim lajmin e madh për vizat, do të mbyllet në izolim. Ushtria thuhet shpesh se do të bëhet së shpejti, por serbët e kundërshtojnë, ndërsa duan themelimin e Asociacionit, që rrezikon krijimin e një niveli të tretë pushteti në Kosovë, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës. Por, mbi të gjitha, nuk ka asnjë veprim shpresëdhënës për dekriminalizimin e shtetit, nuk ka reformë rrënjësore në drejtësi dhe në institucionet e tjera të shtetit përmes ligjit të "Vetting"-ut, nuk ka depolitizim të institucioneve të pavarura apo llogaridhënien në kompanitë publike. Me një fjalë, kjo Qeveri e mbipopulluar me ministra e zv.ministra të panevojshëm, që marrin pagë kot, është e destinuar të dështojë në shkapjen e shtetit. A ju kujtohet kur disa nga pushtetarët e sotëm protestonin në Prishtinë kundër kapjes së Republikës? E pra, sot, duket se i kanë harruar brengat e mëhershme, sepse janë ulur në karriget e ngrohta duke mbajtur në dorë "tepsinë" e pushtetit dhe duke e parë se jetëgjatësia e kësaj Qeverie mund të jetë e shkurtër, qëllimin e vetëm e kanë si të mbushin sa më tepër xhepat dhe kontot bankare. Për njëqind ditë askush nuk ka pritur befasi, por të paktën, shenja të një kthese pozitive mund të dëshmoheshin. Ky ekzekutiv po ua zgjat jetën monopoleve kriminale, po fal kundërligjshëm borxhe milionëshe, po e zhyt vendin në detyrime të reja financiare ndaj kontraktorëve, po e shtrenjton energjinë elektrike me marrëveshjet e reja dhe vazhdon ta dedikojë pjesën kryesore të buxhetit në autostrada, aty ku zhvatjen e mbulon asfalti dhe heshtja për një kohë të gjatë!

(Kosova Sot)