Editoriali:Rini në depresion

  • 28 December 2017 - 17:02
Editoriali:Rini në depresion

Një sondazh i bërë nga KDI-ja me të rinjtë e Kosovës jep të dhëna interesante për aktualitetin politik, për paaftësinë e Qeverisë që ta udhëheqë vendin në drejtimin e duhur, si dhe për mungesën e shpresës se një ditë do të bëhet më mirë në Republikën tonë. Qeveritarët mburren çdo ditë se janë duke bërë punë të shumta e po marrin vendime të mëdha, por të rinjtë shprehen të pakënaqur me performancë e ekzekutivit, ndërsa brengat kryesore janë papunësia, korrupsioni, shëndetësia dhe arsimi i dobët. Fakti se mbi 70 për qind e të rinjve të anketuar e kritikojnë punën e kësaj Qeverie, është domethënës, nëse pushteti arrin ta lexojë ashtu si do të duhej. E dhëna tjetër alarmuese është se mbi gjysma e të anketuarve mendojnë se anëtarësimi në ndonjë parti është mundësi më e lehtë drejt punësimit. Praktikisht, ata kanë të drejtë të mendojnë kështu, sepse nëse nuk ke një krah partiak, zor të vish deri te një vend pune, pavarësisht kualifikimit që ke, diplomave që i ke marrë, aftësive profesionale e kapacitetit akademik. Aq të pashpresë janë rinia jonë, saqë të detyruar, duhet të rekrutohen nëpër parti, me idenë që do ta arrijnë të sigurojnë një vend pune. Kjo Qeveri, si të gjitha ato të mëparshmet, me punësimet e militantëve, emërimet e njerëzve pa kurrfarë kredibiliteti dhe integriteti personal, pa ndonjë kapacitet të dalluar në asnjërën fushë, po dëshmon se nuk e ka synim të saj zhvillimin, por rehatimin e një grupi të vogël njerëzish. Këtu, edhe ata që janë në anën e një partie apo një tjetre, asgjë nuk kanë të sigurt, sepse lidershipi i rryer kosovar, sapo e merr votën, deri në zgjedhjet e radhës, ua kthen shpinën mbështetësve. Sondazhi i KDI-së është alarmues, sepse konfirmon edhe një herë depresionin që e ka mbërthyer këtë vend, veçmas shtresën ku varet e ardhmja e Kosovës, rininë e papunë dhe të pashpresë, me këtë qeverisje oligarkësh, bandash, të korruptuarish dhe të papërmirësueshëm në asnjë drejtim. 

(Kosova Sot)