Editoriali: Kriminelët e shtetit nuk ka kush t'i hetojë! - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Kriminelët e shtetit nuk ka kush t

Editoriali: Kriminelët e shtetit nuk ka kush t'i hetojë!

Kurrë më shumë se sot nuk ka pasur fakte, argumente, afera, akuza serioze publike, kundër politikanëve të korruptuar, të pasuruar paligjshëm, zhvatës dhe abuzues. Nuk kalon ditë kur nuk dëgjon për skandalet e pushtetit, anarkinë në institucione. Kuvendi është arenë e zakonshme akuzash, ku sa herë ka seancë mund të dëgjosh denoncime të ndryshme, edhe pse shumë raste të ndjeshme i mbahen në fshehtësi opinionit publik nga përfaqësuesit legjitimë. Por, gjithmonë ka material për organin e akuzës, që vazhdon të mbetet pasiv dhe në dispozicion të oligarkisë së pushtetit. Për shembull, një deputet akuzoi dje hapur për keqpërdorime këshilltarët e ministrave se shpërdorojnë buxhetin e shtetit, duke porositur në restorantet luksoze verë në vlerë 90 euro për shishe. Më e vogël është shuma që merr një familje në asistencë sociale! Ky mund të duket rast minor, në krahasim me aferat e rënda që prodhon kjo politikë, por është sinjal për Prokurorinë e Shtetit. Megjithatë, kjo e fundit as që lëviz. Sa herë aktivizohen prokurorët ka gjithnjë një konstruksion pas hetimeve dhe ngritjes së aktakuzës. Zakonisht e pësojnë të pafajshmit, kurse bandat e organizuara politike, që kryejnë vjedhje mafioze të buxhetit, gjithnjë shpëtojnë pa u hyrë "ferrë në këmbë". Prokuroria, në vend që të ishte luftëtarja kryesore e korrupsionit dhe paligjshmërive të tjera, është bërë vegël e nëntokës mafioze të politikës së mbrapshtë që udhëheq Kosovën. Edhe pse krimi ndodh hapur, godet stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve, kupolës së drejtësisë dhe zyrtarëve të inkriminuar kjo gjë nuk u bën aspak përshtypje. Si rrjedhojë, të kërkosh drejtësi në këtë ambient të përlyer është një përpjekje e kotë. Banditët enden të lirë dhe shijojnë pasuritë shumëmilionëshe, ndërsa të pafajshmit duhet të enden me vite të tëra dyerve të gjykatave. Kjo është Republika në dhjetëvjetorin e parë të shtetësisë, më e degraduar se asnjëherë tjetër!

(Kosova Sot)

3 orë e 35 minuta më parë
22/05/18