Editoriali: Oligarkët e Kosovës zmbrapsen para stuhisë - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali: Oligarkët e Kosovës zmbrapsen para stuhisë

Editoriali: Oligarkët e Kosovës zmbrapsen para stuhisë

Që nga nata e 22 dhjetorit, lidershipi në pushtet e ka mbajtur peng shtetin, duke tentuar ta shfuqizojë Gjykatën Speciale, e cila do të shqyrtojë aktakuza kundër ishkomandantëve të UÇK-së, sot njerëz me pushtet, por edhe me miliona në kontot e tyre. Bashkësia ndërkombëtare, e alarmuar nga kjo nismë e rrezikshme, filloi të ndërmarrë sanksione ndaj liderëve, duke ua refuzuar vizat e duke i izoluar. Të frikë- suar se mund ta kenë emrin në mesin e të akuzuarve, udhëheqësit e Republikës e vunë interesin personal para atij nacional, duke dëshmuar edhe një herë se kauza e tyre në pushtet u shërben për të mbushur xhepat e jo për ta zhvilluar shtetin. Loja hipokrite me Dhomat e Posaçme tregoi se sa poshtë ka rënë politika në Kosovë. Në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë, kjo ishte "dhurata" më e keqe që mund t'ua bënin qytetarëve presidenti, kryeparlamentari, kryeministri, me mbështetësit e tyre. Të paktën opinionit publik ata ia kanë borxh një kërkimfalje për aventurën e tyre politike. Ky puç dukej se synonte të ushtrojë presion mbi komunitetin ndërkombëtar, për të zbuluar nëse njerëzit më të pushtetshëm mund të përfshihen në listën e personave të akuzuar. Një gjë e tillë mbetet enigmë, por ajo që dihet nga raporti i Dik Martit, të cilin presidenti e quan "fantastiko-shkencor", nga kreu i vendit e disa emra të tjerë të njohur, përmenden gjerë e gjatë. Furtuna e Gjykatës Speciale sivjet është e pritshme, ndërsa Kosova duhet të vazhdojë traditën e saj të urtësisë dhe maturisë, të përballjes me drejtësinë e të vërtetën. Ky vend nuk mund të mbetet peng i një grushti njerëzish, që në emër të luftës për liri duan ta zhbëjnë çdo gjë që fituam në paqe. Gjykatën na e sollën pikërisht këta që sot u ngritën kundër saj, pasi vetë e votuan në Kuvendin e Kosovës. Asnjë nga krimet e përmendura në raportin e Dik Martit nuk mund të hetohet e të gjykohet nga këta prokurorë e gjyqtarë të kapur prej oligarkëve kosovarë! 

(Kosova Sot)

14 orë e 33 minuta më parë
13/11/18