Editoriali:Drejtësia, (a) do ta hetojë Presidentin? - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Drejtësia, (a) do ta hetojë Presidentin?

Editoriali:Drejtësia, (a) do ta hetojë Presidentin?

Kuvendi do të mblidhet sërish sot në tentativën e radhës për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, pasi, siç edhe paralajmëruam në numrin e djeshëm të Gazetës, votat që vareshin nga Lista Serbe nuk janë në dispozicion të Qeverisë, ku ata janë vetë pjesë e saj. Duket se direktivat e Beogradit, bazuar edhe në deklaratën që publikoi dje Lista, janë që të kushtëzohet votimi i Demarkacionit me shtyrjen përpara të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Nuk kemi pse të befasohemi, nëse një pakt i tillë, kuptohet jopublik, mund të kuptohet pas disa javësh, kur do të kemi zhvillime të reja rreth kësaj teme edhe më të nxehtë se kufiri me Malin e Zi. Ndërkohë, përveç kushtëzimeve dhe shantazheve të Serbisë, përmes marionetave të tyre në Kuvendin e Kosovës, zhvillime të reja mund t'i japin një drejtim të ri adresimit të përgjegjësisë për këtë zvarritje gati trevjeçare të marrëveshjes së Demarkacionit, e cila është vërtetuar tashmë se e dëmton sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Vetë nënshkruesi i saj, sot në cilësinë e Presidentit të Republikës, pranoi të nënshkruajë një Deklaratë politike me homologun malazez, duke u pajtuar që të korrigjohet në drejtim të Kullës dhe Çakorrit, kufiri i përcaktuar më parë me marrëveshjen e gushtit 2015. Atë që e kemi paralajmëruar më herët në shkrimet e Gazetës, dje e kanë proceduar edhe zyrtarisht deputetët e Lëvizjes "Vetëvendosje". Kallëzimi penal ndaj Hashim Thaçit, për tradhti ndaj vendit, është i vonuar, por drejtësia duhet të merret urgjentisht me të. Ndërkohë, Projektligji i ri ka një përmbajtje absurde. Aty kërkohet të votohet një marrëveshje e 2015-ës, që rezultoi e gabuar, e bashkë me të të votohet një raport ku konstatohet pikërisht shkarja e madhe me kufirin, ndërsa për ta përforcuar këtë, është edhe Deklarata presidenciale, që garanton zotimin për korrigjimin e kufirit. Një mishmash si ky nuk ishte parë në Kuvendin e Kosovës dhe kur e dimë se çfarë deputetësh kemi aty, mund ta imagjinojmë se sa të vështirë e kanë ata ta zgjidhin këtë çështje.

(Kosova Sot)

1 orë e 26 minuta më parë
25/06/18